Telekomi i Kosovës i obligohet 25 milionë euro kompanisë “Dardafon.net”, pasi kjo e funidt e ka dërguar tek përmbaruesi.
Kështu ka njoftuar kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi në Facebook, ku ka shkruar se Telekomi i Kosovës sot ka pranuar Propozim Përmbarimin nga Kreditori ”Dardafon.net LL.C”, shkruan reporteri.net.
“Telekomi i Kosovës në cilësinë e Debitorit sipas këtij njoftimi i obligohet Kreditorit me 25.000.000 EUR (njëzet e pesë milion euro), vlerë kjo që pritet të saktësohet pas ekspertizës financiare, ku pritet të kalkulohen edhe kamatat”, thuhet në postimin e Bedri Istrefit.
Po ashtu ai njofton se për shkak të gjendjes financiare në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës, gjasat janë minimale për të kryer një transaksion të kësaj vlere.
Istrefi ka shkruar se Telekomi i Kosovës do të ndjek të gjitha rrugët dhe mjetet ligjore, që të prapësohet ky Propozim Përmbarim, duke e quajtur veprim të njëanshëm.
“Veprimet e ndërmarra nga ana e Dardafon.net, konsiderojmë se janë të njëanshme dhe të paanalizuara për efektet që mund të kenë dhe si të tilla janë të papranueshme për Telekomin e Kosovës, e aq me tepër në kohën kur është duke u biseduar/negociuar në mirëbesim për mundësinë e të qenurit partner edhe në të ardhmen (kuptohet duke respektuar MSA-në ekzistuese deri në skadencë të plotë)”, thuhet në njoftimin në Facebook.
“Një akt i tillë do krijonte një situatë gati të paimagjinueshme dhe rrjedhimisht një kolaps në operime, humbje të besimit ndaj partnerëve, furnitorëve dhe vetë klientelës së Telekomit të Kosovës”, thuhet më tutje në njoftim./Reporteri.net/.