×
  • Lajme
  • Lajme

    Televizioni shtetëror i Serbisë e quan provokim banerin “Liria ka emër” në Graçanicë

    Reporteri
    16 Nëntor 2020 | 12:43

    Një baner i madh për UÇK-në e vendosur në Graçanicë të Kosovës, qytetezë e banuar nga pakica serbe ka sjellë reagimin e ashpër të Beogradit.


    Televizioni shtetëror Serb RTS e cilëson banerin si “provokacje”. Baneri që ka si gravurë portretin e Adem Jasharit ka të shkruar edhe slloganin “Liria ka emër: UÇK”.

    Sipas RTS, serbët që jetojnë në Graçanci janë të shqetësuar dhe e perceptojnë billbordin si një provokim dhe presion të drejtpërdrejtë para fillimit të procedurave gjyqësore kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

    Me këtë rast, drejtori i Zyrës së Kosovës në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, deklaroi se ai baner është “kërcënim i hapur për sigurinë e serbëve në pjesën qendrore të Kosovës dhe provokim që tregon se shqiptarët janë ende larg distancimit të sinqertë nga krimet e kryera në emër të tyre”.

    Ndërkohë kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, ka thënë se billbordi me emblemën e UÇK-së, nuk ka për qëllim pajtimin, provokimin dhe ka paralajmëruar takime me përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë sot.

    Ai ka kërkuar që urgjentisht të hiqet ai baner.

    “Tabela u vendos jo shumë larg shtëpive të familjeve serbe në vendbanimin e Kishnicës, të cilat janë po aq të shqetëuara sa banorët e Graçanicës”, brengoset Popoviq.

    “Ne i bëmë thirrje komunitetit ndërkombëtar të përdorë autoritetin e tij në mënyrë që gjëra të tilla të mos ndodhin. Nesër do të kemi takime me të gjitha strukturat e sigurisë dhe do t’u tregojmë atyre se cili është problemi dhe si ta heqim atë billbord”, ka pretenduar Popoviq.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!