×
  • Lajme
  • Lajme / DOKUMENT

    Tenderi 16.5 milionësh për mbeturinat, OSHP vendos për ankesën e “Pastrimit” ndaj Komunës së Prishtinës

    Reporteri
    16 Qershor 2025 | 18:53
    Pamje nga një cep i Prishtinës

    Organi Shqyrtues i Prokurorimit ka dalë me vendim lidhur me ankesën e Kompanisë Rajonale për Menaxhimin e Mbeturinave “Pastrimi” ndaj Komunës së Prishtinës lidhur me tenderin në vlerë prej 16.5 milionë euro për mbeturinat në kryeqytet.

    Në vendim thuhet se shqyrtimi i kësaj ankesese është jashtë juridikisionit të OSHP’së, teksa theksohet se “Pastrimi” mund t’u drejtohet institucioneve tjera për mbrojtjen e të drejtave të saj, shkruan Reporteri.net.

    “Shqyrtimi i kësaj ankese nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit është jashtë fushës së kompetencave dhe autorizimeve ligjore të përcaktuara me Ligjin Për Prokurimin Publik, I ndryshuar, si dhe me legjislacionin sekondar në fuqi që rregullon procedurat dhe veprimtarinë e këtij organi. Sipas dispozitave të këtij ligji dhe aktet nënligjore përkatëse, kompetencat e Organit Shqyrtues janë të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe të kufizuar vetëm për shqyrtimin e çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me procedurat e prokurimit publik brenda kornizës ligjore të përcaktuar. Çdo pretendim që tejkalon këto kufizime, përfshirë edhe shqyrtimin e çështjeve jashtë fushës së prokurimit publik ose jashtë kompetencave të përcaktuara ligjore, konsiderohet jashtë juridiksionit të këtij organi”, thuhet në vendim.

    Duke u thirrur në gjetjet e panelit, OSHP ka vendosur “të mbyllë këtë rast për shkak të mungesës së juridiksionit ligjor për të shqyrtuar çështje që kanë burim nga aktet normative komunale me efekt të drejtpërdrejtë”.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas vendimit, duke e cilësuar këtë si fitore.

    “Pas një sërë pengesash të qëllimshme nga kompania rajonale “Pastrimi” SH.A – përfshirë greva, bllokime dhe ankesa të njëpasnjëshme – Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka vendosur qartë:  Komuna e Prishtinës ka të drejtë të vazhdojë me procedurat për përzgjedhjen e kompanisë që do të menaxhojë mbeturinat në kryeqytet”, ka shkruar Rama, ndonëse në vendim nuk përmendet askund diçka e tillë, pra se a mund të vazhdojë me procedurat komuna.

    Tenderi në vlerë prej 16.5 milionë euro ishte shpallur në nëntor të vitit të kaluar./Reporteri.net

    Përparim Rama planifikon t’i shpenzojë 16 milionë Euro në kompani private për pastrimin e kryeqytetit, nis tenderimi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!