Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj një të burgosuri pasi ka tentuar të fuste telefonin në burg duke e fshehur në televizor, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen e kontrabandës brenda kësaj qendre”, thuhej në njoftim.
“Gjatë bastisjes rutinore në sallën e vizitave, stafi i sigurisë ka zbuluar se brenda TV-së së sjellë nga vizitori, në mënyrë të kamufluar, ishte fshehur një telefon i tipit iPhone”, thuhej më tej.
I burgosuri ndaj të cilit ishte dedikuar iPhone-i është veçuar dhe ndaj tij është iniciuar procedurë disiplinore.
Vizita është anuluar dhe për rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe asnjëherë nuk do të qëndrojë duarkryq përballë këtyre dukurive negative që rrezikojnë rendin dhe sigurinë e saj”, thuhet në njoftim.