×
  • Lajme
  • Lajme

    Tërmet në Shqipëri, më i fuqishmi në 70 vitet e fundit, shemben pallatet, ka njerëz nën rrënoja (VIDEO-LIVE)

    Reporteri
    26 Nëntor 2019 | 6:14

    Shqipëria është goditur nga një tërmet 6.4 ballësh, më i forti në 70 vitet e fundit.


    Ky termet që epiqendër ka pasur Durrësin, ka tronditur gjithë Shqipërinë duke u ndierë edhe në Kosovë dhe në tërë rajonin.

    Raportohet për pallate e shtëpi të shembura në Durrës, Tiranë e Fushë Krujë, ku janë shembur tri pallate e ku kanë ngelur edhe njerëz nën rrënoja. Mediat në Shqipëri, thonë se në Thumanë e Fushë Krujë dyshohet edhe për viktima.

    Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana. Lëkundjet janë ndjerë të forta edhe në kryeqytet, por edhe Lezhë, Fushë-Krujë dhe Fier.

    Dëme të shumta materiale janë shënuar në disa godina në këto qytete. Në Durrës restoranti-Hotel Miramare është shembur, por nuk raportohet për viktima.

    Në Tiranë si në gjithë qytetet e tjera, mijëra njerëz kanë dalë nëpër rrugë të terrorizuar nga lëkundjet dhe duke pritur me ankth lëkundje të tjera. Nisur edhe nga fakti që prej orës 02:47 minuta e deri në vazhdim, janë shënuar lëkundje të herëpashershme.

    Në zona e Astirit dhe rrugën “Siri Kodra” në Tiranë sinjalizohen rënie e disa mureve nga lartësitë. Në Thumanë e Fushë- Krujë raportohet për tre pallate të dëmtuar dhe viktima, por ende nuk ka asnjë informacion zyrtar. Në Lezhë disa familje kanë mbetur të bllokuar brenda pallatit, pasi nuk hapen dyert. Po ndërhyjnë forcat zjarrfikëse. /reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!