×
  • Lajme
  • Lajme

    Tërnava u uron besimtarëve Kurban Bajramin: Kjo festë forcon ndjenjën e bashkësisë dhe vëllazërisë ndërmjet nesh

    Reporteri
    05 Qershor 2025 | 12:13

    Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka uruar besimtarët për Festën e Kurban Bajramit. Ai u ka bërë thirrje për më shumë mirësi mes tyre.

    Në urimin e tij tradicional në prag të Festës së Bajramit të Vogël, Tërnava tha se Kurban Bajrami është festë fetare, por bart edhe mesazhe të thella shoqërore dhe atdhetare, shkruan Reporteri.net.

    “Kurban Bajrami është përkujtim i sakrificës profetike të Ibrahimit a.s., i cili ishte i gatshëm që ta flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të Madhërishëm, dhe i cili na mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufij dhe as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin më të lartë pikërisht në dorëzimin e plotë ndaj vullnetit hyjnor të Zotit xh.sh.. Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë”, ka deklaruar Tërnava.

    Tërnava ka deklaruar se kjo festë forcon ndjenjën e bashkësisë dhe vëllazërisë, e që thotë se është bazë për një shoqëri të shëndoshë dhe një shtet të qëndrueshëm.

    “Në ditën e Bajramit, le t’i hapim dyert e zemrës, jo vetëm për të afërmit, por edhe për nevojtarët, të vetmuarit dhe të harruarit. Në këtë ditë të bekuar le t’i falim të tjerët ashtu siç dëshirojmë që të na falë Zoti ne. Le të përqafojmë, ashtu siç shpresojmë që të na përqafojë mëshira dhe falja e Zotit të Madhërishëm. Le të jetë kjo festë një thirrje për më shumë mirësi ndër ne, për bashkim rreth vlerave që na mbajtën gjallë ndër shekuj, siç janë: besimi, dinjiteti, drejtësia dhe solidariteti. Le ta shndërrojmë besimin në vepër, fjalën në shërbim, kujtimin në përgjegjësi, për të falur, për t’i afruar zemrat dhe për t’i përforcuar familjet dhe shoqërinë me dashuri, mëshirë, paqe dhe drejtësi. Kjo ngase, Zoti i Madhërishëm nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ai popull të mos ta ndryshojë vetveten.

    Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me therjen e kubanit dhe kryerjen e haxhillëkut.

    “Sot, kur miliona besimtarë janë në tokën e shenjtë të Mekës dhe ku do ta kalojnë këtë ditë në rrafshnaltën e Arafatit, e në mesin e tyre gjenden edhe haxhilerët nga Kosova, të cilët janë duke e përjetuar haxhin – udhëtimin e jetës me lutjet e tyre drejtuar Krijuesit për falje gabimesh, shëndet dhe mirëqenie për familjet e tyre, për popullin tonë dhe siguri për vatanin tonë.
    Në përmbushjen e kësaj thirrje hyjnore që zë fill që nga koha e Ibrahimit a.s., i cili na e kujton rrugëtimin e shpirtit në kërkim të pastrimit, përuljes dhe bashkimit me të gjithë myslimanët e botës në një akt universal adhurimi dhe barazie. Çdo hap i bërë në tokën e shenjtë, çdo lutje në Arafat, është një thirrje për mëshirë dhe një betim për një jetë të ndershme, në shërbim të së drejtës dhe drejtësisë”, ka deklaruar Tërnava./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!