Eurodeputeti Riho Terras, e ka kritikuar presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costën për vizitën në Beograd, ndonëse iu kërkua që të mos e bënte këtë vizitë.
Terras tha se BE-ja nuk mund të lejojë këso dështimesh diplomatike, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Pavarësisht kundërshtimit të eurodeputetëve nga 14 shtete të ndryshme anëtare, Costa ende vendosi të takojë shokun më të mirë të Kremlinit, Presidentin Vuçiç . BE nuk mund të lejojë këto lloj dështimesh diplomatike!”, shkroi Terras.
Despite the opposition of MEPs from 14 different Member States, @eucopresident Costa still decided to meet #Kremlin's best buddy President Vučić 🇷🇸. EU cant allow these kind of diplomatic failures! @EPPGroup @EU_Commission @Europarl_EN #Vucic #Serbia pic.twitter.com/1w111mzGJE
— Riho Terras (@RihoTerras) May 13, 2025
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, u arsyetua sot se dialogu është e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet midis BE-së dhe Serbisë, dhe për këtë arsye vendosi të vizitojë Serbinë. Ai tregoi se shumëkush i ka thënë që të mos e bëjë këtë vizitë.
“E vetmja mënyrë për t’u përballur me dallimet është të flasim dhe të kuptojmë njëri-tjetrin, të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë së bashku. Kjo është arsyeja pse jam këtu, shumë më thanë të mos vij, por vendosa të vij sepse nëse kemi një problem me Serbinë, nëse kemi një problem me Presidentin Vuçiq, zgjidhja nuk është ‘mos ejani’ dhe ‘mos flisni’, por që unë të vij, të flas, të shpjegoj pikëpamje të ndryshme, të dëgjoj prej tij se Serbia është plotësisht e përkushtuar në rrugën evropiane”, u tha ai gazetarëve në Beograd.
Duke komentuar largimin e Vuçiqit për në Moskë për të festuar Ditën e Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli për të mos e bërë këtë, ai tha se presidenti serb i shpjegoi se kishte shkuar për të festuar ngjarje nga e kaluara, teksa tha se nuk mund ta bëjnë këtë pa dënuar pushtimin e sotëm të një vendi tjetër.
“Por aktualisht, Serbia është plotësisht e përkushtuar ndaj procesit të pranimit në BE dhe e di se për këtë duhet të kemi koordinim të plotë në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Ne nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht këtë, që Serbia feston çlirimin, por ne nuk mund ta festojmë atë pa dënuar pushtimin e sotëm të një vendi tjetër”, tha ai. /Reporteri.net/