Teksa numëroheshin e rinumëroheshin mijëra vota, kreu i VV-së, Albin Kurti, besonte se i duheshin vetëm 100 orë pas certifikimit për ta finalizuar marrëveshjen me LDK-në.
Ai theksonte se me partinë e Mustafës gjithçka është në vijë, dhe shtonte se vetëm po presin afatet ligjore, shkruan Reporteri.net.
Mirëpo, sapo u certifikuan rezultatet, u kuptua se jo gjithçka ishte në vijë dhe nisën të shfaqen problemet në mes të dy partive.
Kështu, sot kur po bëhen 672 orë nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, Albin Kurti konfirmon se në seancën e nesërme do të shkohet pa marrëveshje me LDK-në.
“Të dashur qytetarë të Kosovës, është obligim i imi moral e politik, shtetëror e kombëtar, qytetar e njërëzor, që t’ju njoftoj se në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë, do të shkojmë pa dakordim për qeverinë”, ka thënë Kurti.
Ai tregoi se gjatë gati një muaji negociata, me LDK-në kanë diskutuar çdo variant, mirëpo thotë se partia e Mustafës nuk ia pranoi ofertën e fundit tri pikëshe, gjë që solli reagimin publik të Kurtit ku konfirmoi dështimin.
Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës mund të nis seancën e nesërme konstituive ku do të betohen deputetët e rinj, mirëpo do të bllokohet në momentin kur do të vijë në rend dite votimi i kryetarit të Kuvendit./Reporteri.net