×
  • Lajme
  • Lajme / VIDEO

    Tha se nuk di asgjë për rastin, del e pavërtetë deklarata e Kurtit për rastin e zjarrfikësit që vdiq vjet në vendin e punës

    Reporteri
    07 Shkurt 2025 | 12:54

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është zënë në deklaratë  të pavërtetë kur është pyetur për rastin e zjarrfikësit Safedin Osmanaj, i cili vdiq vitin e kaluar në vendin e punës.

    Kurti ditën e djeshme teksa po merrte pjesë në “Istogu Channel” është pyetur për këtë rast, por ka mohuar se është në dijeni për të.

    “Unë nuk e di këtë rast, do të merrem me këtë rast dhe do të ju jap pastaj një përgjigje që mund ta transmetoni në emisionin tuaj”, tha Kurti të enjten.

    Por, kjo po del të mos jetë e vërtetë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Vetë Kurti kishte folur për rastin e zjarrfikësit Safedin Osmanaj, në mbledhjen e Qeverisë së datës 14.08 2024, disa ditë pasi kishte ndodhur rasti duke  bërë thirrje që të mos shkaktohen zjarre, të cilat sipas tij, po sjellin tragjedi në ditët e nxehta të verës.

    “Vendi jonë, shoqëria jonë tashmë e ka përjetuar një humbje të dhimbshme javën që lamë pas. Zjarrfikësi Safedin Osmanaj humbi jetën në krye të detyrës. Ngushëllimi ynë për familjen Osmanaj janë apeli më i zëshëm kundër zjarrvënieve dhe për bashkëpunimin me institucionet e vendit në identifikimin e hershëm dhe reagimin e menjëhershëm në rast të zjarreve në natyrë”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

    Zjarrfikësi Safedin Osmanaj kishte shkuar  për të shuar zjarrin në arat që po digjeshin në Krushevë të Vogël të Klinës.

    Sipas policisë, zjarrfikësi kishte shkuar të intervenojë në një zjarr dhe më pas është rrëzuar në tokë.

    “Rreth orës 13:50 stacioni policor ka pranuar një informatë për një zjarrvënie në Krushevë të Vogël të Klinës. Në vendngjarje menjëherë kanë dalë njësitet policore si dhe zjarrfikësit. Në kohën kur zjarrfikësit kanë filluar të intervenojnë, njëri nga zjarrfikësit është rrëzuar në tokë. Ai është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij”, kishin thënë atë kohë nga Policia e Kosovës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!