×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi: “48 orëshi” – kërkesë politike e bazuar në nevojën për ta krijuar qeverinë e re

    Reporteri
    07 Janar 2020 | 17:42

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur afatin prej 48 orësh ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit që të propozojë mandatarin e Qeverisë së re të Kosovës në mënyrë që qeveria të formohet sa më parë.


    Kështu e ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë këtë vendim të presidentit të Kosovës një nga zyrtarët e zyrës së tij.

    Siç ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë, eksperti për çështje kushtetuese Dastid Pallaska, Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh se sa gjatë duhet të presë presidenti për propozimin e kandidatit për kryeministër nga partia politike e cila ka fituar në zgjedhje.

    Megjithatë nga Zyra e Presidentit të Kosovës thonë që të gjithë e pranojnë urgjencën për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    “Të gjithë e pranojnë urgjencën për formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Marrë parasysh këtë fakt, presidenti ia ka dhënë Kurtit 48 orë që të bëjë përpjekje që të paraqesë kandidatin për kryeministër. Natyrisht, kjo ka qenë kërkesë politike e bazuar në nevojën për të krijuar qeverinë e re, e cila do t’i shërbente nevojave të popullit. Shpresojmë që Kurti do ta propozojë kandidatin sa më parë”, thuhet në deklaratën e Presidencës.

    Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha për Radion Evropa e Lirë që presidenti Hashim Thaçi gjatë takimit konsultativ, në ditën e hënë, nuk ka folur për afate.

    “Gjatë takimit te djeshëm të shkurtë konsultativ, i cili nuk mund të ketë efekte ligjore, presidenti nuk ka përmendur kurrfarë afatesh dhe nuk e ka përmendur shprehjen ‘48 orë’, e që më vonë është mundur të lexohet në publikimin e tij në Facebook. Gjatë takimit, i cili ka zgjatur më pak se 6 minuta, në dhomë kemi qenë 6 persona”.

    Mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën duhet të vendoset për mandatarin për kryeministër të qeverisë së re, ka përfunduar për sot dhe pritet të vazhdojë ditën e mërkurë, paradite, ka thënë lideri i kësaj partie Albin Kurti.

    Ai ka shtuar që ndërprerja e mbledhjes ka ndodhur për shkak të angazhimeve të tjera.

    Ndërkohë, ai po ashtu ka theksuar që komunikimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës është duke vazhduar dhe se do të takohet me kryetarin e kësaj partie Isa Mustafën sa më parë.

    Kurti dhe Thaçi janë takuar të hënën për konsultime lidhur me caktimin e mandatarit për qeverinë e re. Por, Kurti ka shkuar në këtë takim pa një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, me të cilën synon një koalicion për formimin e qeverisë së re.

    Në takimin me Thaçin, Kurti nuk e ka dhënë propozimin për mandatarin për kryeministër duke thënë pas takimit që do ta informojë presidentin për këtë përmes një shkrese zyrtare, pas mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

    Më pas, presidenti Thaçi i ka dhënë Kurtit afat prej 48 orësh që të propozojë mandatarin “para si ai të ndërmarrë hapa të ardhshëm kushtetues dhe ligjor”./ REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!