×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi-BE-së: Vonesat tuaja po e rrisin populizmin në rajon

    Reporteri
    01 Qershor 2019 | 13:41

    Në Forumin për Siguri që po mbahet Budva të Malit të Zi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur  për shumë tema, ndër të cilat edhe për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, si dhe për perspektivën euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. 


    Edhe në këtë forum Thaçi ka kritikuar Bashkimin Evropian, për siç tha ai, paragjykim dhe diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës. Thaçi ka thënë se është thelbësor fakti që i tërë rajoni ynë po bënë përpjekje për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan Reporteri.net.

    Por, siç është shprehur ai padrejtësia më e madhe po u bëhet qytetarëve të Kosovës të cilët vazhdojnë të mbesin të izoluar. Thaçi ka kërkuar që BE-ja të mos vonohet me vendimmarrje, sepse siç është shprehur ai sa më shumë që po vonohet, aq më shumë po rritet populizmi në rajon.

    “Në panel me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, para një audience të zgjedhur në forumin “To Be Secure” në Budvë, sot diskutuam hapur për vendet tona, Evropën dhe Ballkanin Perëndimor. Thelbësor në këtë kontekst është fakti që i tërë rajoni ynë po bënë përpjekje për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, për t’u bërë ky rrugëtim më shpejt është e nevojshme që vetë BE-ja të mos vonohet me vendimmarrje, sepse sa më shumë që po vonohet, aq më shumë po rritet ndikimi i akterëve tjerë të padëshiruar dhe populizmi në rajonin tonë”, është shprehur ai.

    Thaçi tutje është shprehur se në rast se Bashkimi Evropian dhe organizatat tjera ndërkombëtare vazhdojnë t’i mbajnë dyert e mbyllura për Kosovën, atëherë qytetarët tanë duhet të mendojnë seriozisht për një rrugë tjetër për arritjen e qëllimit të njëjtë.

    “Padrejtësia më e madhe ndaj Kosovës po vazhdon të jetë mbajtja në izolim e qytetarëve tanë dhe bllokimi i perspektives për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kosova nuk është duke kërkuar alternativë tjetër, përveç anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB. Kjo duhet të jetë e qartë, si për qytetarët e Kosovës, po ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo, dua të ritheksoj fuqishëm se në rast se bashkësia ndërkombëtare, respektivisht shtetet anëtare të organizatave ndërkombëtare (BE, NATO dhe OKB), do të vazhdojnë t’i mbajnë dyert e mbyllura për shtetin e Kosovës, atëherë udhëheqësit e institucioneve dhe qytetarët tanë duhet ta mendojnë seriozisht rrugën tjetër për arritjen e qëllimit të njëjtë. Durimi ynë duhet të shpërblehet dhe jo të keqpërdoret”, është shprehur presidenti Thaçi. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!