Kërkesa për themelimin e një komune të veçantë për komunitetin boshnjak në Republikën e Kosovës është riaktualizuar në ditët e fundit, duke u shndërruar në një nga çështjet kyçe të negociatave për formimin e qeverisë së re.
Edhe pse së fundmi është paraqitur si kusht politik nga deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje – e cila kërkon themelimin e kësaj komune në këmbim të votës për Albin Kurtin si mandatar për krijimin e qeverisë – kjo kërkesë nuk është e re në skenën politike të vendit.
Vite më parë, ish-presidenti Hashim Thaçi kishte shprehur mbështetje për këtë iniciativë dhe kishte ndërmarrë hapa për ta proceduar atë, por për arsye të njohura, ajo nuk arriti të konkretizohej.
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, deklaroi se qeveria e ardhshme duhet ta trajtojë me seriozitet kërkesën në fjalë.
“Kërkesa për themelimin e një komune të komunitetit boshnjak është trajtuar edhe më herët dhe ka pasur mbështetjen e ish-presidentit Thaçi. Ne mendojmë se kjo kërkesë e kahmotshme e komunitetit boshnjak duhet trajtuar në përputhje me standardet kushtetuese e institucionale. E ardhmja politike e Kosovës duhet të ndërtohet mbi parimin e barazisë dhe përfaqësimit, andaj qeveria e ardhshme ka detyrë që këtë çështje ta shqyrtojë me seriozitet”, u shpreh Abdullahu për Express.
Ai shtoi se Partia Demokratike e Kosovës e sheh përfshirjen e komuniteteve si themel të konsolidimit të brendshëm të shtetit.
Komuniteti boshnjak në Kosovë jeton kryesisht në rajonet e Prizrenit, Dragashit, Pejës, Istogut dhe Mitrovicës. Prej vitesh, përfaqësuesit e tyre politikë kanë kërkuar themelimin e një komune ku ky komunitet do të përbënte shumicën, me qëllim të ruajtjes së identitetit, përfaqësimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm brenda sistemit institucional të Kosovës.