×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi e ka nënshkruar dekretin që ushtria ta marrë në dorë shtetin, Gjendja e Jashtëzakonshme duhet të votohet në Kuvend

    Reporteri
    18 Mars 2020 | 9:59

    Presidenti Hashim Thaci ka hedhur firmën në dekretin për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, pas takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.


    Në Twitter, Thaci ka thënë se pas takimit të mbrëmshëm ka nënshkruar dekretin në përputhje me detyrat kushtetuese, shkruan Reporteri.net.

    “Bazuar në detyrat e mia kushtetuese si President, pas takimit të sontëm me Këshillin e Sigurimit të Kosovës, kam nënshkruar një dekret për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në mes të situatës së krijuar nga shpërthimi i # COVID19”, ka shkruar Thaçi në “Twitter”.

    Sic edhe u tha nga ekspertët, por që lehtësisht konfirmohet në Kushtetutë, shpallja e Gjendjes së Jashtëzakonshme nënkupton që ushtria ta marrë kontrollin e shtetit, në këtë rast të situatës me coronavirus.

    Këtë gjë po e kundërshtojnë ashpër Qeveria e Kosovës, të cilët po insistojnë se masat aktuale janë të mjaftueshme për këtë situatë.

    “Gjendja e Jashtëzakonshme është masë ekstreme dhe e panevojshme për momentin”, ka thënë mbrëmë zëvendëskryeministri Haki Abazi.

    Ndërkohë, edhe profesoresha universitare Gjuljeta Mushkolaj doli kundër shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme. Ajo tha se do të ishte e rrezikshme për integritetin territorial, pasi ushtria do të mund të shkonte vetëm deri tek Ibri.

    “Thënë më qartë, nëse do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe ushtria të vëhej në ballë të betejës për përballje me virusin COVID-19, integriteti territorial i Kosovës do të cënohej rëndë dhe institucionet e shtetit të Kosovës do të mund të vepronin në mënyrë uniforme vetëm deri te ura e Ibrit. De facto, Kosova do të coptohej!”, ka thënë Mushkolaj.

    Mirëpo, dikush që po i del në krah presidentit Thaci është partneri i Albin Kurtit, Isa Mustafa. Ai kërkoi dje që të shpallet Gjendja e Jashtëzakonshme, duke thënë se situate do të përkeqësohet. Ai thiri edhe për bashkëpunim të tri insititucioneve kryesore.

    “Sot, si kurrë më parë, është koha që institucionet e Kosovës parreshtur të komunikojnë mes veti. Presidenti, Parlamenti, Qeveria. S’duhet humbur kohë. Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzskonshme, sepse po përballemi me një fatëkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosoves. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka folë qartë!”, ka thënë Mustafa.

    Sidoqoftë, dekreti i presidentit duhet të marrë vulën e fundit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kushtetutës, ai duhet të votohet nga shumica e deputetëve të pranishëm.

    Ndryshe, Kosova ka regjistruar dje të infektuarit e fundit, që cuan numrin e përgjithshëm në 19. Deri tani gjendja e tyre është stabile./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!