×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi e mori Presidencën nga një grua, ia la të njëjtin post një tjetër gruaje

    Reporteri
    05 Nëntor 2020 | 15:05

    Vjosa Osmani, ndonëse si ushtruese e detyrës, bëhet gruaja e dytë, brenda pak vitesh, që ulet në karrigen e Presidentit të Kosovës.


    Nuk janë bëre ende 5 vite që kur Atifete Jahjaga, Presidentja e parë grua, i dorëzoi Hashim Thaçit mandatin e Presidentit.

    Jahjaga, si Presidentja e 3-të e shtetit të Kosovës, dhe e para grua në këtë post, më 7 Prill 2011 e kishte marrë këtë detyrë, pasi ishte zgjedhur Presidente e Kosovës, me vota në Kuvend.

    Përveç se e para grua, Jahjaga, ishte edhe presidentja e vetme jopartiake që u bë shefe e shtetit, shkruan Reporteri.net.

    Pesë vite më vonë, me të përfunduar mandatin e plotë, Jahjaga më 7 Prill 2016 i kishte dorëzuar detyrën Hashim Thaçit, që u zgjodh president.

    Për dallim nga ish-Presidentja jo politike, Thaçi që sot u dorëhoq nga posti i Presidentit, pa e përfunduar mandatin e plotë, për shkak të një aktakuzë të ngritur nga Haga, për krime lufte, deri në zgjedhjen e tij President kishte drejtuar PDK’në, si themelues i saj.

    Ish-presidenti, që sot la karrigen e të parit të shtetit, për maksimalisht 6 muaj do të pasohet nga një tjetër grua, shkruan Reporteri.net.

    Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, që ndonëse aktualisht është pa parti politike, e ka marrë në ushtrim detyrën e Presidentit, pasi një gjë të tillë parasheh Kushtetuta e vendit.

    Ish-kandidatja e LDK’së për Kryeministre, sipas Kushtetutës, për më së shumti 6 muaj, deri nga zgjedhja e Presidentit të ri të vendit nga Kuvendi i Kosovës, i mbanë të dy pozitat e larta institucionale.

    Për dallim nga Thaçi që në prill të 2016 detyrën ia dorëzoi personalisht ish-Presidentja Jahjaga, Osmani detyrën e pranoi nga një këshilltar i ish-Presidentit Thaçi. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!