Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka quajtur sërish kryeministrin në detyrë Albin Kurti uzurpator të Zyrës së Kryeministrisë.
Thaçi ka thënë se qëndron prapa deklaratës që e ka bërë dje, pasi sipas tij, Kurti i cili për 45 ditë qeverisje ka bërë 2 shkelje Kushtetuese, nuk mund të quhet ndryshe pos uzurpator, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka përsëritur edhe një herë se Kurti është shkarkuar me 2/3 e votave në Kuvend, gjersa këtë e ka quajtur ndëshkim për të.
“Nuk kam çka ti shtoj më tepër asaj që kam deklaruar edhe dje. Kemi pasur një realitet që Kurti ka zhvilluar një proces negociatash 5 muaj për formimin e Qeverisë. Me padurim kam pritur ta dekretoj, tani të gjithë janë dëshmitarë se Kurti me qëndrimet e tij, për 45 ditë derisa është shkarkuar apo ndëshkuar nga Kuvendi, gjatë atyre ditëve ka bërë dy shkelje të rënda Kushtetuese. Një njeri me dy shkelje i shkarkuar i ndëshkuar nga Kuvendi nuk mund të quhet ndryshe pos uzurpator”, u shpreh Thaçi.
Gjatë ditës kjo deklaratë e Thaçit u komentua edhe nga kryeministri Kurti, i cili tha se Thaçi dëshirat e tij po i paraqet si fakte.