×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi takon ambasadorët e QUINT-it, thotë se foli për respektimin e Gjykatës Kushtetuese

    Reporteri
    20 Maj 2020 | 11:11

    Presidenti Hashim Thaçi ka biseduar sot me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e zyrës së BE-së, me të cilët i ka trajtuar dy tema.


    Siç thotë presidenti, përveç rimëkëmbjes ekonomike, temë e këtij bisedimi ka qenë edhe respektimi i Gjykatës Kushtetuese, ndonëse kjo gjykatë kërkoi të reduktohen komentimet për punën e tyre, shkruan Reporteri.net.

    “Takim i mirë me ambasadorët e Quint + EUSR për të diskutuar rimëkëmbjen ekonomike pas COVID-19 dhe forcimin e institucioneve demokratike. Respektimi i institucioneve të pavarura, veçanërisht Gjykata Kushtetuese, është jetike për demokracinë”, ka thënë Thaçi.

    Ky takim vije vetëm një ditë pasi Gjykata Kushtetuese lëshoi një reagim ku kërkohej të mos ndërhyhej në punën e saj. Në reagim kritikohej edhe presidenti Thaçi por edhe kryeministri Albin Kurti, të cilët duke i reaguar njëri-tjetrit, sipas reagimit, i kanë bërë presion Gjykatës.

    Ndërkohë, vlen të theksohet se Gjykata Kushtetuese thotë se vendimet e saja janë të pandikueshme dhe të paanshme dhe si të tilla duhet të respektohen.

    Sidoqoftë, këtu nuk ka mirëkuptim të plotë, pasi ministrja Albulena Haxhiu tha para disa ditësh se nuk mund të garantonte që do të respektonte vendimin e kësaj gjykate.

    Ndryshe, Kushtetuesja është duke shqyrtuar që prej datës 8 maj çështjen e dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin e Qeverisë. Afati i fundit për vendim, sipas afateve të vendosura nga vetë gjykata, është 29 maji./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!