×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi flet sërish për bashkimin kombëtar dhe kritikon ndërkombëtarët për vizat

    Reporteri
    28 Maj 2019 | 19:24

    Presidenti Hashim Thaçi ka përmendur sërish idenë e projektit të bashkimit kombëtar, ku sipas tij ëndrra historike e shqiptarëve, kurrë më afër nuk ka qenë se sa sot.


    Sipas tij projekti i bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë ai i çlirimit të Kosovës, por që duhet vullnet i dy qeverive.

    Ai më pas ka përmendur edhe idenë tjetër, atë të bashkimit të Kosovës me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, ku tha se ndërkombëtarët e izoluan Kosovën dhe si kundërpërgjigje do të bashkohen me Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës.

    “Po që Medvegja, Presheva, Bujanovc i bashkëngjiten territorit të Kosovës, por pa u cenuar asnjë centimetër i territorit të Republikës së Kosovës. E theksova edhe dje edhe sot, është një projekt që duhet të punojmë të gjithë. Unë mendoj që asnjëherë nuk ka qenë më afër së realizuari kjo objektivë”, ka thënë Thaçi, përcjell ksp.

    “Sa më tepër që po vonohet Bashkimi Evropian me politikën e vet diskriminuese, poshtëruese dhe ofenduese për qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave, duhet të shikojmë edhe alternativa që çojnë drejt një bashkimi definitiv, përfundimtar Kosovë-Shqipëri duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin… Realizimi i projektit të bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë i çlirimit të Kosovës, por duhet vullnet e dy qeverive tona”, ka deklaruar Thaçi në akademinë përkujtimore për të rënët gjatë operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!