Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas takimit me të dërguan e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i ka tërhequr vërejtjen këtij të fundit për vonesën në liberalizimin e vizave për Kosovën. Thaçi pas këtij takimi tha se Kosova me 27 qershor do të jetë në Washington. Ai tha se se fillimisht BE-ja duhet të bëjë liberalizimin e vizave për kosovarët dhe dialogu të përfundojë me njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Reporteri. net.
“Jemi të patundur dhe kemi besim të plotë në SHBA, përqafojmë vlerat evropiane dhe jemi evropian dhe do të punojmë që këto vlera të ngadhënjejnë por edhe të jemi të vlerësuar nga BE. I thashë z.Lajçak që BE është vonuar shumë në raport me liberalizimin e vizave. Kosova do të jetë më 27 qershor në Washington. ShBA-ja dhe BE-ja do të kenë koordinim për Kosovën, Serbinë dhe të ardhmen euroatlantike të Ballkanit Perëndimor”, tha Thaçi.
Ai tha se gjatë këtij takimi e ka njoftuar Lajçakun për progresin e arritur në Kosovë, reformat e bëra.
“Kosova ka një të ardhme dhe alternativë të vetme rrugën për në BE. Diskutuam edhe për angazhimet për çështjen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht që çdo përpjekje që çon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve që nënkupton paqe dhe stabilitet është e mirëseardhur. Besoj se do të kemi veprime konkrete nga ky angazhim. Kosova ka implementuar shumë kritere dhe standarde që i ka marrë si obligime ndërkombëtare por ajo që duhet të them dhe i konfirmova pozicionin se ky proces duhet të fillon me liberalizimin e vizave por, duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur me njohjen reciproke. E ardhmja e Kosovës është e sigurt duke qenë pjesë e perspektivës evropiane dhe do të punojmë edhe me ShBA-në”, tha Thaçi.