Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se tash e dy dekada Serbia ka humbur në tavolinë me Kosovën.
Kompromis me territor nuk bëjmë, ka thënë Thaçi, kurse kërkesa për korrigjim ka shtuar është respektim i kërkesave dhe aspiratave të popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës.
“Ideja është imja pas takimeve me liderët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit”, ka deklaruar ai në Top Channel.
Këtë ide ka pohuar se do ta prezantoj edhe në Paris.
“Unë jam për korrigjim, jo për shkëmbim. Këtë ide e kam prezantuar në të gjitha forumet ndërkombëtare dhe do ta prezantoj edhe në Paris”, është shprehur Thaçi.
Ai beson se trevat e Luginës të banuara me shqiptarë do t’i bashkohen Kosovës.
“Duke parë rrezikun ekzistencial në ato treva për banorët e tyre, vlerësoj edhe sot në mënyrë transparente që ato t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës. Është një korrigjim i padrejtësisë historike, i njoh njerëzit dhe kauzën e tyre, prandaj e shoh të nevojshme këtë korrigjim pa cenuar asnjë centimetër të territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ndërsa ka folur për Samitin e Berlinit ka pohuar se atje nuk është varrosur asnjë ide.
“Në Berlin nuk është diskutuar asnjë ide e re dhe nuk është mohuar as varrosur asnjë ide që është diskutuar deri më tani. E vetmja e vërtetë e Berlinit janë konkluzionet që kanë dalë”, ka thënë Thaçi.
Presidenti i Kosovës ka komentuar sërish edhe deklaratat për moskoordinim me SHBA-në.
“Ne zhvilluam takim me ambasadorin amerikan në Berlin dhe me Mogherinin dhe nga këto takime ishte e qartë që me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin koordinuar. Pa koordinim me SHBA-në, nuk mund të ketë as marrëveshje. Pa koordinim me SHBA-në nuk ka mundur të ndodh asgjë me rëndësi në rajonin tonë”, ka thënë Thaçi.
Ai ka thënë se para dhe pas çdo takimi në Bruksel, gjithmonë ka pasur konsultime me SHBA-në.