×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi kujton Enver Zymberin: Rënia e tij i rrënoi ambiciet e Serbisë për krijimin e një Republike Serbe në veri

    Reporteri
    26 Korrik 2019 | 11:35

    Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka kujtuar heroin e Kosovës, Enver Zymerin, në 8 vjetorin e rënies së tij.


    Thaçi ka thënë se rënia e tij në mbrojtje të sovranitetit të Republikës së Kosovës i rrënoi njëherë e përgjithmonë ambiciet e Serbisë për krijimin e një Republike Serbe në veriun e vendit tonë, transmeton lajmi.net.

    “U bënë 8 vjet nga rënia heroike në krye të detyrës e heroit Enver Zymeri. Rënia e tij në mbrojtje të sovranitetit të Republikës së Kosovës i rrënoi njëherë e përgjithmonë ambiciet e Serbisë për krijimin e një Republike Serbe në veriun e vendit tonë. Përkulemi para veprës heroike të Enver Zymerit – heroit të Kosovës së lirë!”, ka shkruar presidenti Thaçi.

    Kujtojmë, se Zymberi ishte polic i Njësisë Speciale të Forcave Policore të Kosovës që nga viti 2002.

    Ai u vra me 26 korrik 2011 në Leposaviq, afër pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

    Enver Zymberi u qëllua gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Kosovës në pjesën veriore të vendit.

    Policia e Kosovës ka paraparë që sot të zhvillojë disa aktivitete për të nderuar policin e rënë në aksionin që filloi më 25 korrik të vitit 2011.

    Gjatë ditës së sotme do të bëhen homazhe te lapidari i tij në Prishtinë si dhe te varrezat në fshatin Dubovc të Vushtrrisë.

    Policia më pastaj do të vizitojë familjen e tij në Vushtrri.

    Enver Zymberi është shpallur hero i Kosovës me urdhër të ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!