Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për medie, ka paralajmëruar rikthim të masave në rast se vazhdon të rritet numri i rasteve të reja me koronavirus.
“Nëse do të ketë përkeqësim të gjendjes, atëherë institucionet e Kosovës, do të detyrohen të kthejnë masat për të parandaluar përhapjen e COVID-19.”, ka thënë ai para medieve, shkruan Reporteri.net.
Thaçi ka thënë se përkeqësimi i situatës do ta dëmtojë jo vetëm shëndetin tonë por do ta prekë rëndë edhe rimëkëmbjen e ekonomisë.
Deri te rikthimi i masave, sipas tij, mund të vijmë nëse qytetarët nuk i respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Numri i rasteve të reja sipas tij, rrezikon tërë atë që kemi arritur deri më tani përfshirë punën e punëtorëve shëndetësorë dhe atyre të policisë.
Ai ka bërë thirrje tek qytetarët që të respektohen rekomandimet e IKSHPK-së dhe MSH-së.
Ditën e djeshme në Kosovë janë konfirmuar edhe 40 raste të reja me COVID-19, duke e çuar kështu numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 1,234. /Reporteri.net/