×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi përforcon akuzat: Kurti, Abazi dhe Sveçla cenuan sigurinë kombëtare

    Reporteri
    09 Qershor 2020 | 22:00

    Presidenti Hashim Thaçi ka ripërsëritur akuzat e tij për ish-kryeministrin Albin Kurti, ish-zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe ish-ushtruesin e detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme për të cilët tha se janë futur në Dhomën e Përgjimeve në PTK.


    “Nuk dëshiroj që të interferoj dhe të jap opinione të mëtutjeshme që të mos merret si lloj presioni ndaj organeve të drejtësisë. Unë kam deklaruar dhe vetëm sa e përforcoj qëndrimin tim, sepse ka qenë i saktë, i qartë, institucional dhe shtetëror dhe është cenuar siguria kombëtare nga ky ekip”.

    Ai në Rubikon të Klan Kosovës nuk është tërhequr as nga cilësimi “Grupi i Kurtit” që ka bërë për ish-kryeministrin Albin Kurti dhe ish-ministrat e partisë së tij.

    “Unë e kam theksuar qartë dhe natyrisht se ka funksionuar rrëmbyeshëm dhe dëmshëm për vendin dhe shoqërinë, por përsëri po them që tash i mbetet organeve të drejtësisë që ta sqarojë gjithçka. Kam kërkuar edhe nga të gjitha mekanizmat e tjerë që t’i japim hapësirë organeve të drejtësisë me qetësi dhe efiktivitet”.

    “Nuk kanë funksionuar me rregullat dhe kornizat institucionale, kushtetuese dhe ligjore. Kanë funksionuar si grup shoqëror jashtë rregullës dhe funksionimit të institucioneve. Institucionet janë keqpërdorur dhe kanë qenë instrumentalizim për aspiratat e tyre ideologjike. Mbetet që të ballafaqohen dhe të sqarohen me organet përkatëse të drejtëisë dhe jo me mua”.

    Si e komenton i pari i vendit faktin që pas akuzave që bëri për Dhomën e Përgjimeve, Abazi përmes një postimi në Facebook e cilësoi atë “rrenc dhe njeri të poshtër”?

    “Unë e kuptoj sikletin, nervozën dhe frustrimin e tij. Më mirë është që të deklarohet te organet e drejtësisë sesa përmes Facebookut ose studiove televizive. Unë gjithë çfarë kam deklaruar qëndroj prapa, ndërsa organet e drejtësisë duhet ta vazhdojnë punën e tyre”.

    Presidenti Thaçi qëndron njëlloj i bindur edhe pas akuzës se Garda Vullnetare Shqiptare është fiktive dhe kërcënimi për të cilin foli Albin Kurti u shpik dhe u shkrua nga ai dhe Lëvizja Vetëvendosje.

    “Është e saktë më tepër se 100 për qind. Ju e keni parë që menjëherë pasi u dekonspiruan e ulën kokën dhe heshtën”.

    Ai ka deklaruar se “nuk i takon presidentit që të ushtrojë autoritetin e drejtësisë” kur është pyetur se si është e mundur që ata që akuzon nuk janë përballur me drejtësinë nëse pretendimet e tij janë të sakta.

    “Besoj në drejtësi, jo në shpifje, intriga dhe gënjeshtra. Mua nuk më lehtësohet jeta politike nëse përfundojnë në burg, sepse e kam vendosur se do të largohem pas përfundimit të mandatit tim si president. Këshilla ime për të gjithë është që të mos përpiqen të përfitojnë në fatkeqësinë e askujt, në kuptimin politik. Kur ngadhënjen drejtësia fitojnë të gjithë”. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!