Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përkundër ftesës që i është bërë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Thaçi ka thënë se përderisa Serbia vazhdon të kundërshtojë dhe të luftojë shtetësinë e Kosovës, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta, shkruan Reporteri.net.
“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Thaçi.
Ai ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama për festën duke potencuar se mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm, mirëpo për dallim nga Shqipëria Kosova po vazhdon të hasë në pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet.
“Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, mikun tim Edi Rama, e falënderoj për ftesën për pjesëmarrje në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Si President dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, edhe një herë shpreh mirënjohjen më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Shqipërisë.
Mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm. Mirëpo, për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë”, ka shkruar Thaçi.
Thaçi në fund ka potencuar se se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar.