Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, për të ndarë me ta opinionet nga takimi i Berlinit dhe pritjet për takimin që do të mbahet në Paris.
Presidenti Thaçi u shpreh se e ka mirëpritur kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.
”Vlerësoj lart vullnetin e mirë të kancelares Merkel dhe këmbëngulësinë e presidentit Macron që çështjet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara”, u shpreh presidenti Thaçi.
Duke folur për takimin e Berlinit, presidenti Thaçi theksoi se “takimi i Berlinit as nuk mbylli dhe as nuk hapi ndonjë ide apo koncept për mundësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi”.
Thaçi mirëpriti edhe kërkesën që të vazhdojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, në kërkim të një marrëveshjeje paqësore, që për Kosovën duhet të jetë marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obliguese, që sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim në Kombet e Bashkuara.
”Marrëveshje me të cilën ruhet substanca dhe karakteri shumetnik i vendit dhe shoqërisë, si dhe që hap rrugë integrimit në NATO dhe në BE”, u shpreh ai.
Po ashtu, kreu i shtetit theksoi rëndësinë që shtetet anëtare të Bashkimit Europian, shtetet perëndimore në përgjithësi, të jenë më unike dhe më të qarta në këtë proces, në veçanti 5 shtetet e Kuintit, SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.
Për pengesat në zhvillimin e dialogut, presidenti Thaçi theksoi se “nuk do të lejojmë që dialogu të kushtëzohet nga Serbia”, duke shtuar se taksa kundër prodhimeve të Serbisë do të mbetet në fuqi.
Në fund të takimit me ambasadorët dhe shefat e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, presidenti Thaçi theksoi se zhgënjim në takimin e Berlinit ka qenë edhe mosuniteti i vendeve të BE-së rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës