Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani është treguar optimiste për një marrëveshje me VV-në, pavarësisht përplasjeve të fundit në distancë mes anëtarëve të të dy partive.
Osmani ka folur edhe për ofertën e fundit që Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë LDK-së duke thënë se për këtë çështje do të thirret për të vendosur Këshilli i Përgjithshëm i partisë, shkruan Reporteri.net.
“Do të konsultohemi sot për kohën kur do të thirret Këshilli i Përgjithshëm. Unë kam deklaruar dhe e përsëris që për propozime të tilla vendos Këshilli i Përgjithshëm. Natyrisht aty do të diskutojmë lidhur me rimandatimin e ekipit tonë për të vazhduar negociatat. Nuk është e drejtë që unë të paragjykoj se si do të votojnë ata”, është shprehur ajo.
Osmani ka folur edhe për marrëdhëniet përbrenda partisë pas përplasjeve në distancë që kishte natën e mbrëmshme me Agim Veliun, rreth ofertës së Vetëvendosjes ndaj së cilës Veliu u doli kundër. Megjithatë ajo ka thënë se atmosfera në LDK vazhdon të mbetet e mirë dhe se ka përkrahje të madhe për ta çuar përpara vullnetin e qytetarëve.
“Unë sapo u ktheva nga Reçaku, ku ishim bashkë një ekip i LDK-së dhe natyrisht që u takuam edhe me shumë njerëz të anëtarësisë, atmosfera në LDK është shumë e mirë, ka përkrahje të fuqishme që vullnetin e qytetarëve ta çojmë përpara”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se mosarritja e koalicionit mes VV-së dhe LDK-së jo vetëm që po sjell akuza mes zyrtarëve të këtyre dy partive ku po e fajësojnë njëra-tjetrën për dështuar, por të njëjtën kohë po sjell përplasje edhe brenda partisë së Isa Mustafës. /Reporteri.net