E premtja e 16 majit shënoi një moment historik për Shqipërinë, teksa Tirana u shndërrua në kryeqendrën politike të Evropës, duke pritur për herë të parë Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Në një atmosferë solemne dhe dinamike, 47 liderë nga e gjithë Evropa mbërritën në kryeqytetin shqiptar për të diskutuar për sfidat e sigurisë, të ardhmen e kontinentit dhe rolin e përbashkët në një botë në ndryshim.
Kryeministri Edi Rama i mirëpriti personalisht të gjithë liderët, një proces që zgjati mbi dy orë dhe kulmoi me mbërritjen e presidentit francez Emmanuel Macron. Liderët u pritën me një ceremoni të veçantë në tapetin e kuq, të shoqëruar nga performanca artistike me motive tradicionale shqiptare, ndërsa një detaj që tërhoqi vëmendje ishte paraqitja e Ramës me atletet e tij të bardha me yllin me numrin 5 – simbol i fushatës së tij elektorale, që këtë herë shërbeu edhe si një mesazh për Europën. Madje, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e komentoi me humor këtë detaj gjatë pritjes.
Pas ceremonisë, u zhvillua fotografia tradicionale familjare, ndërsa liderët firmosën mbi një yll simbolik, i cili është përdorur nga Rama gjatë fushatës së zgjedhjeve të 11 majit, si një shenjë e përkushtimit ndaj vizionit evropian.
Samiti u zhvillua në ambiente të posaçme, të ndërtuara pas monumentit të Skënderbeut, të dekoruara me vizatime nga nxënës shqiptarë që shfaqnin perceptimin e tyre për Evropën. Nën moton “Një Europë e re në një botë të re”, u mbajt fillimisht një seancë plenare me fokus sigurinë dhe integrimin, e ndjekur nga tri tryeza tematike të nivelit të lartë që trajtuan çështje kyçe si siguria demokratike, konkurrueshmëria ekonomike dhe fuqizimi i të rinjve.
Mes liderëve të pranishëm ishin Ursula von der Leyen, Kaja Kallas, Antonio Costa, Mark Rutte, si dhe kryeministrat e Spanjës, Hungarisë, Britanisë, përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë Vjosa Osmanin dhe Aleksandër Vuçiç, por edhe presidenti turk Erdogan.
Programi vijoi me drekën zyrtare, takimet dypalëshe dhe një sesion përmbyllës në orët e pasdites.
Pavarësisht reshjeve të shiut, Tirana shkëlqeu si një qendër e bashkimit europian – një ditë simbolike për rolin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare. /vizionplus