×
  • Lajme
  • Lajme

    AKK me standarde të dyfishta, në një rast të njëjtë me Baletin nuk e cilësoi “konflikt interesi”

    Reporteri
    03 Korrik 2019 | 10:38

    Sinan Kajtazi, drejtor i zgjedhur i Baletit Kombëtar të Kosovës, dje ka dhënë dorëheqje nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit dhe ka thënë se do të refuzonte të merrte pozitën e Drejtorit, meqë një opinion i Agjencionit Kundër Korrupsionit tha se “kjo do të sillte konflikt interesi”.


    Për këtë, balerini Kajtazi tha se do të jap dorëheqje për të respektuar ligjin dhe opinionin e AKK-së, shkruan Reporteri.net.

    “Me keqardhje ju njoftoj që pas kërkesës sime për opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit, në lidhje me pozitën e drejtorit të BKK-së, nga kjo Agjenci më është kumtuar se sipas Ligjit Kundër Korrupsionit/neni 18, pozita ime si drejtor i BKK-së do të përbënte ‘konflikt interesi’, meqë deri në janar të 2019-s kam qenë kryetar i KD të BKK-së, dhe në periudhë prej 2 vjetësh pas largimit nga Këshilli Drejtues nuk kam të drejtë të marr këtë post. Prandaj, ju njoftoj që sot kam dhënë dorëheqjen nga u.d. i drejtorit të BKK-së dhe rrjedhimisht më duhet të refuzoj emërimin si drejtor nga Këshilli Drejtues i BKK-së”, ka shkruar Kajtazi në profilin e tij në Facebook.

    Mirëpo, duket se opinioni i tillë i AKK-së nuk ka vlejtur edhe në raste të tjera pasi, siç raportojnë mediat, për rastin e njëjtë ky institucion kishte thënë se nuk ka konflikt interesi.

    Ishte viti 2014, kur drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës ishte zgjedhur Arben Zharku pas dorëheqjes nga pozita e kryesuesit të Këshillit Drejtues të këtij institucioni. Asokohe AKK-ja kishte thënë se bëhet fjalë për çështje etike e jo për konflikt interesi.

    Opinioni që gjendet në faqen e Agjencionit Kundër Korrupsionit, e thotë qartë se ky rast nuk përbën konflikt interesi.

    Sidoqoftë, edhe rasti i Kajtazit ishte i njëllojtë, pasi ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Kryesuesit të Këshillit Drejtues për të marrë pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit.

    Ndryshe, Sinan Kajtazi është pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës që nga themelimi, ku është paraqitur si balerin në mbi 50 premiera, të cilat janë shfaqur edhe në shumicën e vendeve të Evropës./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!