×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    Tragjedia në Austri, MPJD: Nga informacionet zyrtare s’ka shtetas të Kosovës në mesin e viktimave – jozyrtarisht mund të jetë një e mitur

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 22:48

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kompetente austriake lidhur me krimin e rëndë të ndodhur sot në një shkollë në qytetin Graz.

    Përmes një komunikate drejtuar mediave, MPJD ka thënë se nga të dhënat e konfirmuara, në mesin e viktimave është vetëm një shtetas i huaj me origjinë nga Polonia, viktimat tjera janë shtetas austriakë dhe se shtetas nga Kosova nuk ka as në mesin e të plagosurve. Jozyrtarisht Ministria thotë se ka mësuar se në mesin e viktimave mund të jetë edhe një e mitur me prejardhje nga Kosova, e lindur në Austri në vitin 2010.

    “Autoritetet austriake nuk kanë publikuar ende një listë zyrtare të plotë të viktimave dhe të lënduarve, për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe moshës së të përfshirëve”, thuhet në reagimin e Ministrisë.

    Se e mitura nga Kosova është në mesin e viktimave, njoftoi Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, i cili publikoi edhe foto të saj.

    MPJD thotë se sipas informacioneve zyrtare të pranuara nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në Vjenë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë humbur jetën 10 persona, gjashtë femra dhe katër meshkuj, përfshirë edhe autorin e dyshuar të ngjarjes, i cili dyshohet se ka kryer vetëvrasje brenda ambienteve të shkollës.

    Mediat e huaja raportuan më herët se numri i viktimave ka shkuar në 11, meqë edhe një grua ka vdekur në spital si pasojë e plagëve./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!