×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Trainkos: Aksidenti me fatalitet ndodhi për shkak të mosrespektimit të shenjave të komunikacionit

    Reporteri
    13 Prill 2025 | 17:13

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në mes të një treni dhe një veture në komunën e Klinës, ku për pasojë një person ka vdekur dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar.

    Ngjarja tragjike ka ndodhur rreth kilometrës 60+958 të linjës hekurudhore, ndërsa autoritetet janë ende duke hetuar rrethanat e plota të aksidentit.

    Pas ngjarjes, kompania hekurudhore Trainkos ka reaguar me një njoftim për opinionin publik, duke shprehur keqardhje të thellë për humbjen e jetës dhe duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës.

    “Na vjen keq, se si pasojë e një aksidenti të ndodhur sot, një qytetar ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar. Familjes së viktimës dhe gjithë farefisit i shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe të thella”, thuhet në njoftimin e Trainkos.

    Trainkos ka bërë thirrje për respektim rigoroz të rregullave të komunikacionit, duke theksuar se kalimi hekurudhor ku ndodhi aksidenti ishte i pajisur me sinjalizim dhe shenja përkatëse.

    Sipas raportit fillestar të komisionit për raste të jashtëzakonshme, aksidenti ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të shenjave të komunikacionit rrugor nga ana e drejtuesit të automjetit.

    “Komunikacioni hekurudhor rregullohet me ligje dhe sinjalizime specifike, të cilat obligohemi t’i respektojmë në përpikëri. Rregullat dhe sinjalizimi i trafikut rrugor janë obligative për të gjithë përdoruesit e rrugës, përfshirë drejtuesit e mjeteve rrugore,” thekson Trainkos.

    Kompania gjithashtu ka apeluar për kujdes maksimal dhe për respektim të rregullave të komunikacionit rrugor, me qëllim që të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla tragjike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!