×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    “Trainkos” largon nga puna 12 punëtorë, zbulohen manipulime në arkat fiskale – dëmi mbi 230 mijë euro

    Reporteri
    30 Janar 2025 | 11:01

    Ndërmarrja Publike “Trainkos” ka larguar nga puna 12 punëtorë, pasi sipas njoftimit të bërë nga kjo kompani dyshohet për manipulim të të dhënave në arkat fiskale.

    Sipas komunikatës së lëshuar për media, thuhet se nga leximi i të dhënave në arkat fiskale dyshohet për ndërhyrje dhe manipulim të tyre, si dhe fshehje dhe dëmtim të raportimit të shitjeve të biletave gjatë operimit me arka për një periudhë të gjatë kohore, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Trainkos” thotë se nga raporti që kanë pranuar nga kompania e licencuar “Enternet”, dëmi i shkaktuar kalon shumën e 230 mijë eurove, por sipas tyre kjo shumë mund të rritet, pasi siç njoftojnë janë edhe katër arka fiskale e të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe ende nuk i kanë ato të dhëna.

    “Me anë të këtij njoftimi, Ndërmarrja Publike Trainkos Sh.A. dëshiron të njoftojë opinionin e gjerë lidhur me një dukuri që na ka përcjellë gjatë këtyre muajve te fundit, siç është rasti i arkave fiskale. Në kuadër të një hetimi fillimisht të brendshëm të ndërmarrjes, pastaj edhe më aprovimin e Departamentit të Arkave Fiskale në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës, përmes operatorit të licencuar ekonomik Enternet (i kontraktuar nga ana jonë për pajisjet me arka fiskale). Me ç ‘rast janë bërë leximet e të dhënave të të gjitha arkave fiskale. Nga ky lexim ka rezultuar se ka dyshime për ndërhyrje dhe manipulim të dhënave, si dhe fshehje dhe dëmtim të raportimit të shitjeve të biletave gjatë operimit me arka për një periudhë të gjatë kohore. Të gjitha këto dyshime janë dokumentuar e vërtetuar përmes leximeve nga personat e autorizuar përgjegjës të operatorit në fjalë.

    Duke qenë se Ndërmarrja Trainkos Sh.A., subvencionohet me një shumë të caktuar nga taksat e qytetarëve, përveç tjerash, kjo na obligon dhe na bën me përgjegjësi publike të raportojmë për çdo cent të shpenzuar, ashtu siç edhe obligohemi për transparencë të plotë sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, Kodit të Etikës dhe Ligjin Për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike. Ky njoftim po bëhet tani pasi që rasti është trajtuar proceduralisht sipas rregulloreve të brendshme dhe ligjeve që na obligojnë në këto raste, dhe se janë marrë vendime nga komisionet gjegjëse sipas Rregullores së Marrëdhënies së Punës dhe Procedurës Disiplinore në Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A., konformë gjetjeve të bëra, dëshmive të ofruara dhe peshës së veprës. Në kuadër të saj ndaj 12 punonjësve është marrë masa disiplinore e shkëputjes së marrëdhënies së punës, ashtu siç precizohet në rregullore për këto raste”, thuhet në njoftimim e “Trainkos”.

    “Nga raporti i fundit, të cilin e kemi pranuar nga ENTERNET, dëmi i shkaktuar kalon shumën prej 230 mijë eurosh, dhe kjo shumë mund të rritet, meqë janë edhe katër (4) pajisje fiskale të cilat kanë pasur memorie të ndërruar dhe të njëjtat ende nuk i kemi. Pra, ndërmarrja nuk di se cili mund të jetë dëmi në memoriet e pa lexuara dhe shuma totale pas kësaj”, thuhe tutje në njoftim.

    Gjithashtu, thuhet se keqpërdorimi është bërë nga viti 2016 deri në vitin 2024, ku është ndërhyrë në të dhënat e raportimit.

    “Ndërmarrja ashtu siç obligohet me ligj, ka njoftuar me kohë Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, dhe Bordin e Drejtorëve, si dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale. Po ashtu, në koordinim me ATK, përmes operatorit të lartcekur, janë nxjerrë të dhënat si: prova dhe dëshmitë e dyshimit për aktivitetin e bërë nga disa punonjës përmes arkave fiskale, të cilët gjatë kryerjes së detyrës, për një periudhë të gjatë kohore në vazhdimësi, pothuajse nga viti 2016 e deri në fundvitin e 2024, kanë ndërhyrë në të dhënat e raportimit, duke resetuar pajisjet dhe duke fshehur të dhënat reale të shitjeve. Dëshmitë janë proceduar përmes specialistëve të fushës së operatorit, të cilat, pasi janë nxjerrë në tërësi, kanë ardhur në përfundime duke i lexuar të dhënat e gjetura.

    Për këtë, janë njoftuar dhe organet e rendit dhe të hetuesisë, ndërsa sipas të dhënave të nxjerra nga memoriet e arkave, Ndërmarrjes dyshohet t’i jetë shkaktuar një dëm i konsiderueshëm në të holla, si dhe në vet imazhin e saj. Për dëmin e shkaktuar dhe për memoriet e mbetura pa lexuar, kjo çështje kërkon një hetim nga ana e autoriteteve ligj zbatuese, si dhe ato të hetuesisë, nga të cilat kërkojmë që zyrtarisht të nisin hetimet, duke qenë se vepra e kryer përmban disa elemente të veprave penale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Andaj, Trainkos Sh.A., i bën thirrje zyrtarisht Prokurorisë së vendit që të nisë hetimet”, thuhet në komunikatën e Trainkos.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!