Tre asambleistë të LDK’së në Vushtrri dalin kundër vendimit të partisë, i bëjnë koorumin PDK’së, pritet përjashtimi i tyre

Kuvendi Komunal në Vushtrri është konstituuar sot, duke zgjedhur edhe kryesusin e ri, që vjen nga radhët e PDK’së, dhe kjo është bërë e mundur edhe përmes tre asambleistëve të LDK’së.


Tre asambleistët e LDK’së, Agron Përçuku, Alban Bajrami, dhe Behar Duraku, kanë pranuar të marrin pjesë në votimin e kandidates së PDK-së për kryesuse të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, duke dalë kundër vendimi të degës së LDK’së, në Vushtrri.

Burime të Gazetës Online Reporteri.net, brenda degës së LDK’së në Vushtrri, kanë bërë të ditur se këta tre asambleistë, mund të përjashtohen nga grupi i asambleistëve të LDK’së në Kuvendin Komunal të kësaj komune.

Mospjesëmarrja e tyre, do të pamundësonte që PDK përveç kryetarit, post të cilin e fitoi në balotazhin e 14 nëntorit, të ketë edhe kryesuesin e Asamblesë Komunale.

Kryesuese e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë sot është zgjedhur Melihate Basholli – Latifi, asambleist e PDK’së në këtë komunë. PDK do të ketë dy postet kryesore udhëheqëse në komunën e Vushtrrisë, me kryetar Ferit Idrizin, dhe kryesuese e Kuvendit Komunal, Melihate Basholli – Latifi. /Reporteri.net