Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e kreut të PSD-së, Dardan Molliqaj dhe katër aktivistëve të kësaj partie.
Policia ka bërë të ditur se për Molliqajn ka pasur urdhër-arrest, ndërsa thotë se të tjerët janë arrestuar pasi kanë penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës.
Në këtë aksion sipas tyre janë lënduar tre zyrtarë policore.
“Prishtinë 16.06.2022 – 17:10. Është raportuar se gjatë realizimit të urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit mashkull kosovar, zyrtarët policor janë penguar nga disa persona të tjerë me ç’rast kanë pësuar lëndime trupore tre zyrtar policorë. Lidhur me rastin janë arrestuar pesë persona meshkuj kosovarë të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport 24 orësh të PK-së.
Lidhur me arrestimin e Molliqaj ka reaguar të enjten edhe Partia Social Demokrate e Kosovës.
Sipas PSD-së, arrestimi ishte i paligjshëm.