Tre shtetas shqiptarë janë dhunuar këtë të shtunë barbarisht nga një grup personash në Herceg Novi të Malit të Zi.
Të tra viktima kanë marrë plagë në fytyrë dhe në trup, ndërsa ngjarja ka bërë që autoritetet shqiptare të alarmohen dhe të kërkojnë informacione nga pala malezeze.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla raportohet të ketë kontaktuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, ndërsa vetë kryeministri i vendit fqinj, Milojko Spajiç ka reaguar pas dhunimit të 3 shqiptarëve, nëpërmjet një postimi në platformën X.
Ai ka shprehur keqardhje për ngjarjen dhe bën me dije se njëri nga autorët është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.
“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oazë paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët”, shkruan Spajiç.
Sipas mediave të Malit të Zi, në bazë të informacioneve të deritanishme, shkak i ngjarjes ka qenë një incident në komunikacion.
“Sot në orët e pasdites përmes telefonit është raportuar në shërbimin kujdestar të Sigurimit në Herceg Novi se në rrugën kryesore në fshatin Zelenika ka ndodhur shkelje e rendit dhe qetësisë publike nga disa persona të panjohur. Policia efektivët janë dërguar në vendngjarje ku kanë konstatuar tre persona, të gjithë shtetas shqiptarë, të cilët kanë pasur lëndime të dukshme dhe më pas janë drejtuar për të kërkuar ndihmë mjekësore. Policët kanë ndërmarrë veprime në kuadër të juridiksionit të tyre për të përcaktuar të gjitha rrethanat në të cilat personat e lartpërmendur mbetën të plagosur, dhe për të ndriçuar ngjarjen. Përveç pamjeve video nga kamerat e vëzhgimit nga pallatet pranë ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Shtohet se efektivët e policisë kanë identifikuar tre persona nga Herceg Novi si autorë të sulmit fizik, identiteti i të cilëve është përcaktuar më pas.
Sakaq, policia e shtetit nëpërmjet një komunikate për mediat ku bën me dije se krerët më të lartë të Uniformave Blu janë në komunikim të vazhdueshëm me homologët malazezë, sqaron edhe detaje nga ngjarja.
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit. Shtetasit shqiptarë K. M., A. D. dhe D. K. kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit. Të tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike. Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim.”
Edhe Ambasada Shqiptare në Mal të Zi ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë ku tre shqiptarë u dhunuar nga 8 serbë të Bosnjës në Herceg Novi. Autoritetet shqiptare njoftojnë se kanë dërguar një përfaqësues të ndjekë nga afër ngjarjen dhe kanë kërkuar që të zbardhen rrethanat e plota të dhunës.
Nga ana tjetër ambasada bën me dije se shqiptarët e kanë denoncuar rastin pranë policisë malazeze e cila ka nisur hetimet.
Reagimi i Ambasadës:
“Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi po ndjek nga afër ngjarjen e pasdites së sotme, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar në zonën e Zelenika-s, pranë qytetit Herceg Novi.
Që prej momentit të parë kur jemi njoftuar, jemi vënë në kontakt me shtetasit, i kemi marrë në mbrojtje dhe po i ofrojmë çdo shërbim të nevojshëm, përfshirë edhe atë ligjor.
Një përfaqësues i ambasadës ka udhëtuar drejt zonës, ndërsa kemi kërkuar nga policia dhe autoritetet ligjzbatuese zbardhjen e ngjarjes dhe ndëshkimim e autorëve.
Shtetasit shqiptarë të asistuar nga ambasada kanë bërë denoncimin pranë autoriteteve policore malazeze.”