Komuna e Vitisë ka shpallur ditë zie të mërkurën, pas tri vdekjeve që kanë tronditur këtë komunë, ku brenda tri ditësh vdiqën tre të rinj.
Sot Kryetari Sokol Haliti konfirmoi se në mesin e viktimave nga sulmi në Graz të Austrisë, është edhe një vajzë me prejardhje nga kjo komunë, shkruan Reporteri.net.
“Brenda vetëm tre ditësh, kemi humbur tre të rinj vitias – bij e bija të kësaj toke, që u ndanë nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe tragjike. Kjo dhimbje është e papërshkrueshme dhe ka prekur thellë secilin prej nesh. Në nderim të jetës së tyre dhe për të shprehur solidaritetin e institucioneve dhe të gjithë qytetarëve me familjet që po përballen me këtë dhembje të madhe, shpall të mërkurën, 11.06.2025 DITË ZIE në Komunën e Vitisë”, ka shkruar Haliti.
Nesër, flamujt në të gjitha institucionet komunale do të ulen në gjysmështizë, aktivitetet kulturore, sportive dhe festive do të pezullohen.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Vitisë të bashkohen në këtë ditë zie, për të nderuar kujtimin e të ndjerëve dhe për të qëndruar pranë familjeve të tyre, duke ndarë dhembjen me solidaritet dhe dashuri njerëzore. Ngushëllimet më të sinqerta familjeve të prekura. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen dhe i pastë të ndjerët në mëshirën e Tij”, ka shkruar Haliti./Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.