×
  • Lajme
  • Lajme / Skema

    Tregtimi “në të zezë” i energjisë në vitin 2024 dhe anashkalimi i ALPEX-it nga “të gjithë”

    Reporteri
    24 Qershor 2025 | 12:41

    Hulumtimi i Buletinit Ekonomik, ku janë analizuar shumë dokumente dhe biseda me shumë akterë, sjell dyshime të bazuara për sabotazh të ALPEX-it dhe shmangie të qëllimshme të bursës shqiptare nga të gjithë akterët në tregun e përbashkët energjetik Kosovë-Shqipëri.

    Bursa shqiptare ‘ALPEX’ zyrtarisht është funksionalizuar në fillim të vitit 2024, dhe ideja e themelimit të saj ka qenë krijimi i një blloku të përbashkët energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë, prej nga pritej që kjo të reflektonte në shkëmbim më të madh të energjisë mes të dyja vendeve dhe në ulje të çmimit të energjisë elektrike.

    Kur ishte funksionalizuar ALPEX-i, qeveritarët e Kosovës i kishin bërë bujë të madhe një lajmi të tillë. Por, në terren ndodhi krejt diçka tjetër. Gjatë vitit 2024, ALPEX-in e shmangën të gjithë akterët në Shqipëri dhe Kosovë, duke filluar nga Korporata Energjetike Shqiptare (KESH), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e deri te kompanitë private si KESCO dhe KEDS.

    Të gjithë këta akterë që supozohej se tregtimin e energjisë elektrike ta kalonin përmes ALPEX-it – për ta fuqizuar atë, zgjodhën që shitblerjen e energjisë elektrike për vitin 2024, ta bëjnë në “të zezën”, përmes kontratave bilaterale me tregtarë të energjisë, duke shmangur krejtësisht bursën shqiptare.

    Kjo ndodhi nën dijeninë e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZrrE), e cila në mandat, ndër të tjera, e ka që akterët në treg t’i obligojë që shitblerjen e energjisë elektrike ta bëjnë përmes bursave. Kjo për faktin se tregtimi i energjisë përmes bursave është i sigurt dhe shmang manipulimin me cmimin e energjisë elektrike nga tregtarët e energjisë, të cilët shpesh i shmangin bursat për këtë qëllim.

    Nga hulumtimi i bërë, ngrihen dyshime se shmangia e ALPEX-it ishte e qëllimshme dhe jo “për shkak të mungesës së likuiditetit”, siç thuhet në raportet zyrtare të ZRrE-së.

    Dyshimet e mbështetura në fakte çojnë te një skemë e përgatitur nga tregtarët ballkanik të energjisë, ku si qëllim kryesor kishte “bllokadën” e linjave interkonektive Shqipëri-Kosovë, përkatësisht bursën shqiptare (ALPEX). Kjo situatë prodhoi një “fyt të ngushtë” kah linjat përmes Malit të Zi, prej nga ‘Noa Energy Trade’ e solli rrymën në Kosovë me çmim deri në 800 euro për MWh vetëm për transmision apo bartje të energjisë.

    A u sabotua ALPEX-i?

    Në qendër të kësaj skeme, në secilin rast shfaqet ‘EFT-ja’ e Vuk Hamovicit, një kompani me origjinë serbe që kishte dominuar importin e energjisë elektrike për Kosovën që nga paslufta.

    Nga të dhënat e analizuara në Zyrën e Ankandeve në Podgoricë (SEE CAO), del se për vitin 2024, përveç rrugëve tregtare përmes Malit të Zi, EFT-ja e Vuk Hamovicit i kishte në zotërim edhe linjat interkonektive Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas.

    Me funksionalizimin e ALPEX-it, linjat interkonektive Shqipëri-Kosovë kanë hyrë në kuadër të bursës shqiptare, ku për pjesën e Kosovës përgjegjës është KOSTT-i, kurse për Shqipëri – OST-ja. Mirëpo në vitin 2024, linja interkonektive Kosovë-Shqipëri doli në ankand në SEE CAO dhe aty ishte sërish EFT-ja, e cila i bleu linjat, si te ankandet vjetore, si te ato mujore.

    Në fakt, nëse analizohen ankandet në SEE CAO, EFT-ja është prezente në të gjitha linjat e transmisionit që kanë destinacion Kosovën, duke përfshirë këtu linjat përmes Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë, derisa linjat me Serbinë mbeten të bllokuara për arsye politike.

    Nga të dhënat e sigurara prej ZREE-së, EFT-ja, përkundër se e kishte në zotërim linjën Shqipëri-Kosovë, nuk ka blerë e as nuk ka shitur asnjë megavat rrymë në Kosovë për vitin 2024.

    Mediumi është interesuar të dijë nga kjo kompani se pse ka marrë pjesë në ankande në SEE CAO edhe për linjat Shqipëri-Kosovë, nëse “qëllimi” nuk ka qenë shitblerja energjisë elektrike në Kosovë. Romana Krstić, Sekretare e Bordit të Grupit EFT, në një përgjigje me shkrim, pranon se “gjatë viteve 2024 dhe 2025, EFT nuk ka furnizuar me energji dhe as nuk ka blerë energji nga Kosova”, ndërsa në pyetjen se pse përkundër kësaj, EFT i bleu linjat Shqipëri-Kosovë, ajo ka dhënë përgjigje përgjithësuese.

    “Të drejtat e kapacitetit ndërkufitar janë përdorur vetëm për kalimin e energjisë ‘tranzit’ drejt tregjeve të tjera”, thotë ajo, mirëpo Krstić nuk është përgjigjur në pyetjet e radhës, se sa është sasia e energjisë që ka kaluar tranzit përmes Kosovës dhe kush kanë qenë blerësit.

    Për ta verifikuar këtë pretendim të EFT-së, Buletini Ekonomik ka drejtuar pyetje në KOSTT, që është institucioni përgjegjës në Kosovë për linjat e transmisionit për pjesën e Kosovës.

    Nga KOSTT kanë konfirmuar se kompania EFT gjatë vitit 2024 ka shfrytëzuar rrjetin transmetues të Kosovës vetëm tranzit. Këtë e ka bërë pasi i ka pasur në zotërim linjat interkonektive Shqipëri-Kosovë, të fituara në ankandet vjetore në Zyrën e Ankandeve në Podgoricë.

    “Energjia (nga EFT) është importuar përmes kufijve: Shqipëri, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut, dhe është eksportuar po në këto zona, përmes të drejtave për kapacitete të fituara në ankandet e organizuara në SEE CAO”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të KOSTT.

    Sipas tyre, palët tregtare me licencë për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike, kanë të drejtën e importit, eksportit dhe tranzitit të energjisë.

    Dimensioni politik i ALPEX-it

    Se a ishte qëllimi i EFT-së ta bllokojë ALPEX-in duke i pasur në zotërim linjat Shqipëri-Kosovë, zyrtarisht askush nuk ka pranuar të deklarohet prej zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse në Kosovë. Mirëpo, jozyrtarisht shumë prej atyre me të cilët ka biseduar Buletini Ekonomik, e thonë se krijimi i ALPEX-it në prapavijë e ka edhe dimensionin politik.

    Ekspertët të përfshirë në negociatat për themelimin e ALPEX, thonë se themelimi i bllokut rregullues Shqipëri-Kosovë (ALKS) ka ndikuar drejtpërdrejt në pavarësimin elektroenergjetik të Kosovës nga Serbia, dhe kjo, sipas tyre, përfaqëson një ndër zhvillimet më të rëndësishme strategjike në sektorin energjetik të rajonit në dekadën e fundit.

    Për shumë vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova mbeti e varur nga Serbia në aspektin operativ të sistemit të transmetimit, pasi ndodhej nën bllokun rregullues serb brenda strukturave ndërkombëtare të energjetikës (ENTSO), pavarësisht se kishte krijuar operatorin e vet të pavarur (KOSTT).

    Serbia shpesh ka penguar funksionimin e pavarur të KOSTT-it, duke shkaktuar ndërprerje, devijime dhe mosnjohje të të drejtave të Kosovës në rrjetin rajonal të energjisë. Me marrëveshjen e vitit 2020 ndërmjet KOSTT dhe OST (Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Shqipërisë), e cila u mbështet nga Komuniteti i Energjisë dhe ENTSO, u krijua Blloku Rregullues ALKS, që lejon Kosovën të operojë sistemin e saj në mënyrë të pavarur dhe të koordinuar me Shqipërinë, jashtë kontrollit të Serbisë. Ky zhvillim shënoi ‘de facto’ shkëputjen operacionale të KOSTT-it nga blloku serb dhe integrimin funksional me rrjetin shqiptar, duke mundësuar balancimin brenda kufijve të vet dhe pjesëmarrjen në tregjet rajonale. Në krijimin e ALPEX-it një ndihmë të madhe ka dhënë SHBA-ja, përmes USAID, që dha një mbështetje të rëndësishme teknike dhe strategjike.

    Themelimi i bursës shqiptare ALPEX vjen edhe si reagim ndaj investimeve agresive të Kinës në Serbi dhe Bosnje Hercegonivë (Republika Srpska) në ngritje të kapaciteteve të reja energjetike. Përfituesi më i madh i këtyre investimeve është pikërisht EFT-ja e Vuk Hamovicit, e cila përmes ndihmës nga investitorët kinezë ka arritur madje të ndërtojë edhe termocentral të vetin në Bosnje, të quajtur Stanari. Rreth 15 për qind e konsumit në Bosnje mbulohet nga termocentrali Stanari. Përveç termocentralit Stanari, i cili është në funksion që nga viti 2016, EFT-ja, nën udhëheqjen e Vuk Hamović, aktualisht po ndërmerr ndërtimin e dy impianteve të energjisë së rinovueshme në Republikën Srpska (RS) në bashkëpunim me partnerë kinezë.

    Nga hulumtimi del se investimet e Kinës në Ballkan kryesisht kalojnë përmes EFT-së, pronari i së cilës Vuk Hamovic ka lidhje të forta me Presidentin e entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Milorad Dodik.

    Në hulumtimin në seri për importin e energjisë elektrike për vitin 2024, ka siguruar të dhëna që çojnë të një bashkëpunim mes kompanisë nga Tirana – Noa Energy Trade dhe kompanisë EFT, e cila sipas ankandeve në SEE CAO, për vitin 2024 i zotëroi të gjitha linjat e transmisionit që kishin destinacion Kosovën.

    Përveç kësaj, hulumtimi zbuloi se energjia elektrike nga Noa Energy Trade dyshohet se është importuar nga Bosnje Hercegovina, përkatësisht pjesa e Republika Srpska, aty ku EFT-ja i kontrollon prodhuesit kryesor të energjisë elektrike.

    Kur është pyetur për këtë bashkëpunim, sekretarja e EFT-së, Romana Krstić, ka thënë se me NOA-n kanë pasur një bashkëpunim në vitin 2017, ndërsa ka mohuar çfarëdo bashkëpunimi të mëvonshëm. Por nuk është përgjigjur në pyetjen tjetër se kush janë blerësit të cilëve u ka shitur rrymë EFT-ja gjatë vitit 2024.

    Më 2024, ALPEX-i u anashkalua nga “të gjithë”

    Një qëllim tjetër i krijimit të ALPEX-it lidhet me rritjen e shkëmbimit të energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe uljen e çmimit të energjisë elektrike, duke i shfrytëzuar ‘përparësitë’ që i kanë të dyja vendet për shkëmbim.

    Ajo që ndodhi në realitet është diçka krejt tjetër. ALPEX-in e shmangën të gjithë akterët gjatë vitit 2024. Të gjithë tregtuan në “të zezën”, duke i shmangur bursat, duke filluar nga KESH-i i Shqipërisë, KEK-u i Kosovës dhe operatorët tjerë privat.

    Mediumi ka siguruar të dhëna se sa kanë tregtuar energji elektrike në ALPEX – KEK-u dhe operatorët KESCO dhe KEDS, për tërë vitin 2024. Nga të dhënat e analizuara, vërehet një shkëmbim krejtësisht minimal.

    Ta zëmë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), në vitin 2024 ka importuar energji elektrike në një sasi prej 380 mijë e 324 megavat për orë, në vlerë prej 70 milionë euro. Nga kjo, KESCO bleu rrymë në vlerë mbi 62 milionë euro prej kompanisë Noa Energy Trade, kurse prej ALPEX-it bleu një sasi minimale, vetëm 359 MWh, apo në vlerë 47 mijë e 993 euro. Nga KESCO nuk kanë kthyer përgjigje se pse janë shmangur bursat me rastin e shitblerjes së energjisë elektrike, përkundër insistimit të mediumit.

    Ngjashëm ka vepruar edhe kompania tjetër simotër e KESCO-s, KEDS-i, e cila është përgjegjëse për rrjetin dhe importon energji elektrike për t’i mbuluar humbjet në rrjet. Ndryshe nga KESCO, KEDS-i nuk është fare e regjistruar në ALPEX. Gati të gjithë importin (rreth 60 milionë euro) edhe kjo e ka realizuar duke i shmangur bursat, apo përmes kontratave bilaterale me kompaninë Noa Energy Trade.

    Burimi: ZRrE

    Mediumi ka adresuar pyetje në KEDS se pse nuk janë regjistruar ende në bursën ALPEX, mirëpo deri në këtë moment ata nuk kanë kthyer përgjigje.

    Një akter tjetër me rëndësi që është pritur të japë kontribut në fuqizimin e ALPEX-it është KEK-u, prodhuesi më i madh i energjisë elektrike në Kosovë. KEK-u prodhon energji elektrike për KESCO-n, e cila tutje është përgjegjëse për furnizim me energji elektrike për të gjithë qytetarët e Kosovës. Rastet kur KEK-u shet energji elektrike përtej KESCO-s, lidhen me ato që njihen si tepricat e energjisë elektrike, të cilat krijohen kryesisht gjatë natës, kur bie ndjeshëm konsumi.

    Për vitin 2024, tepricat e energjisë elektrike të KEK-ut në sasi ishin 645,825 MWh, apo në vlerë 45.7 milionë euro. Më shumë se gjysmën e tyre,l KEK-u e shiti përmes kontratave bilaterale me tregtarë të energjisë duke i shmangur bursat, ku edhe këtu dominon kompania Noa Energy Trade. Prej 45.7 milionë euro sa është vlera e tepricave, një sasi prej 255,889 MWh apo në vlerë 16.7 milionë euro, i bleu kompania Noa Energy Trade, kurse sasia tjetër prej 206,353 MWh apo 16.1 milionë euro, u tregtua përmes bursës ALPEX.

    Burimi: KEK

    Kur është pyetur se pse janë shmangur bursat me rastin e shitjes së tepricave, më konkretisht bursa shqiptare ALPEX, KEK-u përmes email-it zyrtar ka dhënë dy versione kontradiktore.

    Tregtimi i energjisë elektrike bëhet një ditë para tregtimit (day ahead) ose brenda ditës kur tregtohet (Intraday). Në përgjigjen e parë, KEK thotë se me ALPEX-in gjatë vitit 2024 kanë mundur të tregtojnë vetëm në segmentin një ditë para tregtimit, gjë që sipas tyre, për këtë shkak “kapacitetet e bursës kanë qenë të kufizuara”.

    “Që nga fillimi i aktivitetit të bursës në shkurt 2024 deri më 12 dhjetor 2024, ALPEX ka operuar vetëm në segmentin Day-ahead (një ditë para tregtimit). Gjatë kësaj periudhe, kapacitetet e bursës kanë qenë të kufizuara, gjë që ka ndikuar në mundësinë e tregtimit të një sasie të kufizuar të tepricave të energjisë elektrike nga KEK. Për shkak të këtyre kufizimeve, KEK ka qenë i detyruar që pjesën tjetër të tepricave ta ofrojë në ankande publike jashtë platformës ALPEX. Pas 12 dhjetorit 2024, ALPEX ka nisur të tregtojë edhe në segmentin Intraday (brenda ditës), duke përdorur tri periudha kohore, çka pritet të rrisë ndjeshëm kapacitetet e tregtimit në të ardhmen”, thuhet në përgjigjen e parë të KEK-ut.

    Mediumi ka provuar ta verifikojë këtë pretendim të KEK-ut përmes ALPEX-it dhe të dhënave publike në Zyrën e Ankandeve në Podgoricë. Kjo e fundit publikon të dhëna sa i përket kapaciteteve ndërkufitare mes shteteve në Europën Juglindore. Nga të dhënat shihet se kapacitetet për transmision të ALPEX-it gjatë vitit 2024, pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të lira dhe me mundësi për tregtim. Kështu, linja interkonektive Kosovë-Shqipëri, ka kapacitet 900 MW, prej të cilave gjatë vitit 2024, 200 megavat kapacitet u shiten në ankand vjetor në SEE CAO dhe 200 tjera në ankand mujor. Kurse 400 deri 450 megavat kapacitet, ishin të lira për segmentin një ditë para tregtimit (day ahead), aty ku KEK thotë se kishte kufizim të kapaciteteve.

    Në një seri të dytë të pyetjeve lidhur me këto të dhëna nga SEE CAO që demantojnë përgjigjen fillestare ttë KEK-ut, kjo e fundit tash ka dhënë një version akoma më të paqartë, duke e vënë në dyshim atë se cka ka dashur të nënkuptojë me përdorimin e termit “kapacitete”.

    Sipas tyre, KEK e ka përdorur termin “kapacitete” vetëm në kontekstin e mundësive dhe opsioneve të tregtimit brenda bursës ALPEX, por pa e spoecifikuar domosdoshmërisht që kjo lidhet me kapacitetet për transmision, apo bartje të energjisë. Por ata nuk kanë sqaruar konkretisht se për çka e kanë pasur fjalën, as në një adresim të dytë përmes pyetjeve nga mediumi.

    “Kur po thoni që me termin “kapacitete” nuk keni menduar “kapacitetet e transmisionit”, a po doni të thoni me këtë se arsyeja se pse nuk i keni shitur tepricat përmes ALPEX-it, ka të bëjë me faktin se ALPEX ka pasur mungesë likuiditeti?”, është pyetja e dytë që ka mbetur pa përgjigje nga KEK-u.

    Drejtori për Kosovë i ALPEX-it, Shkumbin Hysa, kur është pyetur për këtë ka thënë se nuk e ka të qartë se për çfarë kapacitetesh e ka fjalën KEK-u.

    “ALPEX-i nuk ka kufizim”, ka thënë shkurt ai, teksa ka shtuar se sqarimet të kërkohen nga vetë KEK-u.

    Se linjat e transmisionit me Shqipërinë kanë qenë të lira dhe me mundësi për tregtim, e kanë konfirmuar edhe nga KOSTT-i në një përgjigje për mediumin. Ashtu sic konfirmohet nga të dhënat në SEE CAO, edhe nga KOSTT thonë se mundësia për tregtim në ALPEX ka qenë “vazhdimisht në dispozicion në vlera të larta”.

    “Blerja e kapaciteteve vjetore dhe mujore nga palët tregtare në SEE CAO nuk e ka kufizuar kapacitetin në dispozicion për tregtimin në ALPEX. Me fillimin e operimit të ALPEX, kapaciteti në kufirin Kosovë-Shqipëri për alokim afatshkurtër ka kaluar nga alokimi eksplicit në alokim implicit. Ky kapacitet është dedikuar për tregtim në ALPEX dhe ka qenë vazhdimisht në dispozicion në vlera të larta”, thuhet në përgjigjet e KOSTT.

    Sipas raportit vjetor për vitin 2024, i prodhuar nga ALPEX, në total tregtimi i energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe anasjelltas përmes ALPEX-it ishte në vlera minimale. Kështu, në Tregun e Ditës në Avancë nga Shqipëria drejt Kosovës, pati shkëmbim prej 27,816.94 MWh, kurse nga Kosova drejt Shqipërisë 241,097.29 MWh. Në vlera krejt minimale krahasuar me totalin e importit, ishte tregtimi i energjisë përmes ALPEX-it edhe në Tregun e Ankandeve Brenda të Njëjtës Ditë. Në këtë segment, nga Shqipëria drejt Kosovës shkuan vetëm 167.30 MWh, kurse nga Kosova drejt Shqipërisë 91.15 MWh.

    Komunikimi i brendshëm KESCO-ZRrE-ME zbardh ‘hilen’ me ALPEX

    Më shumë mbi arsyet e vërteta rreth “bllokadës” së linjave interkonektive Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas, kuptohet nga një komunikim i brendshëm me email-a mes KESCO-s, ZRrE-së dhe Ministrisë së Ekonomisë, që është realizuar në muajin shtator të vitit të kaluar.

    Në këtë komunikim që Buletini Ekonomik ka siguruar qasje të kufizuar, KESCO i drejtohet ZRrE-së për ta njoftuar rreth pamundësisë për të importuar energji elektrike përmes Shqipërisë. Edhe KESCO si arsye jep faktin se në ALPEX ekziston mundësia e tregtimit vetëm një ditë para (day ahead) dhe se kjo ka kufizuar kapacitetet për bartje të energjisë elektrike. KESCO “alarmon” edhe për kostot enorme për bartje të energjisë elektrike përmes Malit të Zi, ku thuhet se vetëm në shtator kostoja ka arritur në rreth 5 milionë euro vetëm për bartje të energjisë elektrike.

    Ky arsyetim i KESCO-s është i ngjashëm me atë të KEK-ut, mirëpo të dhënat në SEE CAO që ka analizuar Buletini Ekonomik tregojnë se në segmentin day ahead (një ditë para tregtimit), linjat interkonektive Shqipëri-Kosovë kishin një kapacitet 450 megavatësh.

    Një dyshim lidhet me shitblerjen e linjave në SEE CAO nga kompania EFT. Ndonëse linjat interkonektive Shqipëri Kosovë janë në pronësi të KOSTT-it dhe OST-së së Shqipërisë, ato në vitin 2024 dolën në ankand në SEE CAO. EFT-ja i bleu ato edhe në ankandin vjetor, edhe në atë mujor.

    Buletini Ekonomik ka provuar të kuptoj nëse ka pasur bllokadë të linjave nga EFT. Ajo që dihet është se kjo kompani nuk ka tregtuar energji elektrike në Kosovë gjatë vitit 2024, ani pse ka shprehur interesim që t’i ketë në posedim linjat e transmisionit.

    Një dyshim tjetër ka të bëjë me kompaninë Noa Energy Trade. Kjo kompani ndonëse e ka dominuar importin e energjisë elektrike për Kosovën gjatë vitit 2024, çuditërisht nuk ka marrë pjesë në ankandet vjetore në SEE CAO për shitblerjen e linjave interkonektive Shqipëri-Kosovë. Në pyetjen se pse nuk keni marrë pjesë në ankande, kur dihet se jeni kompania kryesore e importit për Kosovën, NOA nuk ka kthyer përgjgije. Përgjigje në këtë nuk ka dhënë as KESCO, e cila e ka “autorizuar” kompaninë Noa për import të energjisë elektrike.

    Tregtim i manipuluar i energjisë?

    Ekspertët thonë se tregtarëve të energjisë nuk ju konvenon tregtimi përmes bursave. Kjo për shkak se në bursa nuk mund të manipulohet çmimi i energjisë elektrike. Tendeca e tregtarëve është gjithmonë shmangia e bursave dhe lidhja e kontratave bilaterale direkt me prodhues të energjisë elektrike. Ky ishte rasti me importin e energjisë elektrike për Kosovën gjatë vitit 2024.

    Sa i përket shkëmbimit minimal përmes Shqipërisë, Drejtori për Kosovë i ALPEX-it, Shkumbin Hysa, ka shpjeguar procedurën se çka ka ndodhur me linjat interkonektive Kosovë-Shqipëri, pas funksionalizimit të bursës shqiptare. Ai konfirmon se kapacitetet interkonektive Kosovë-Shqipëri, pasi shiten në ankandin vjetor dhe atë mujor në SEE CAO, janë në pronësi të tregtarit që i ka blerë. Por, sipas tij, ato i kalojnë “në pronësi” ALPEX-it” vetëm nëse tregtari nuk i shfrytëzon linjat për bartje të energjisë elektrike.

    “Kapacitetet që nuk shfrytëzohen nga tregtari i merr KOSTT-i dhe pastaj KOSTT-i në tregun e një ditë përpara, ia kalon ALPEX-it në shfrytëzim për coupling”, thotë Hysa.

    Ajo që njihet si “market coupling”, është bashkim i tregjeve, kur energjia që tregtohet dhe kapacitetet për bartje të asaj energjie bashkohen, për të mundësuar tregtimin efikas. Por, ka raste kur tregtarët i blejnë vetëm linjat, pa qëllimin për të tregtuar energji elektrike. Kjo bëhet për të fituar vetëm përmes linjave. Hysa nuk ka pranuar të flasë lidhur me dyshimet nëse EFT-ja e kishte keqpërdorur të drejtën e saj të fituar në SEE CAO për linjat interkonektive Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas.

    Një dyshim të tillë e ka forcuar eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, bazuar në ekspertizën e tij sesi funksionojnë tregjet ndërkombëtare. Ai “sabotimin” e ALPEX-it e sheh në dy kahje. E para lidhet me kompaninë EFT dhe të drejtën e saj mbi linjat interkonektive Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas.

    “Arsyeja e dështimit të tregtisë së energjisë midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe funksionalizimit të ALPEX-it është në dizajninë e tregtimit të kapaciteteve ndërkufitare. ALPEX-i mundëson tregtimin e energjisë vetëm nëse ajo ka kapacitete ndërkufitare, të cilat i alokohen asaj për bartjen e energjisë nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, vlerëson Haxhimusa.

    Sipas tij, për fat të keq, të gjitha kapacitetet ndërkufitare shiten në ankande vjetore që organizohen nga SEE CAO, duke mos i lënë kapacitetet të lira për tregtimin e energjisë nëpërmjet ALPEX.

    “Të gjitha ato miliona euro që taksapaguesit e të dyja vendeve i kanë investuar për ndërtimin e këtyre kapaciteteve ndërkufitare energjetike, nuk po shfrytëzohen fare, sepse ato po mbahen nga tregtarët që po i rezervojnë në ankandet vjetore”, shton ai.

    Dyshimi i dytë për “bllokadë” të qëllimshme të ALPEX-it, sipas Haxhimusës, lidhet me kompaninë Noa Energy Trade, e cila sipas tij, në vitin 2024, e kishte monopolin në shitblerjen e energjisë elektrike në Kosovë, përmes kontratave bilaterale me KEDS-in, KESCO-n dhe KEK-un.

    Sipas Haxhimusës, nëse ALPEX-i është shmangur nga të gjithë akterët, atëherë cili ishte qëllimi i themelimit të kësaj burse.

    “Për çka e kemi bo këtë bursë kur aty nuk është duke u tregtu fare energji. Faji është të dizajni i tregut. Për me i shmangë këto probleme, bursat në shtetet e zhvilluara si ajo Nord Pool e shteteve skandinave, e kanë zgjidhjen më të mirë. Cka thojnë këto? Këto thojnë, ju mundeni me bo çfarëdo kontratash, vjetore, mujore, çfarëdo, por krejt energjinë elektrike keni me e futë edhe njëherë në tregun ditor me e shitë, edhe me e ble. Pra ti mundesh me shku me ble atje, po s’ki qare pa e futë në tregun ditor edhe njëherë. Pra institucionet përkatëse munden me të detyru me ligj që tregtarët me përdorë bursën për me tregtu energji elektrike. Nëse këta nuk e bëjnë një gjë të tillë atëherë likuiditeti i kësaj burse (ALPEX) do të jetë minimal dhe arsyeja pse me ekzistu kjo bursë tani është në pikëpyetje”, vlerëson Haxhimusa.

    Mediumi ka provuar të marrë një përgjigje nga ZRrE, lidhur me atë se pse janë shmangur bursat gjatë vitit 2024 nga të gjithë pjesëmarrësit në tregun energjetik. Por përkundër insistimit, nga institucioni që e ka në mandat monitorimin e tregut të energjisë nuk kanë pranuar të flasin rreth veprimeve që kanë ndërmarrë për të shmangur tregtimin “në të zezën”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!