×
  • Lajme
  • Lajme / Matja e marsit

    Trendi sipas sondazhit të UBO’s: VV te 50 përqindëshi, LDK “me rënie të lirë”, PDK pak më pak, AAK mund të rrezikojë pragun

    Reporteri
    06 Prill 2024 | 13:57

    Në sondazhin e fundit ku maten partitë politike, të realizuar nga kompania “UBO Consulting”, e të publikuar mbrëmë nga gazeta online Reporteri.net, ka disa ndryshime në përqindje, krahasuar me matjen e kryer nga e njëjta kompani në dhjetor të vitit 2023. Edhe pse renditja mbetet e njëjtë: VV e para, PDK e dyta, LDK e treta. 

    Gjatë omnibusit të rregullt të UBO Consulting, qytetarët janë pyetur edhe në sondazhin se për kë do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel. Sondazhi është realizuar gjatë pjesës së parë të muajit mars me 907 respondentë dhe me margjinë të gabimit plus-minus tre për qind.

    Sipas të dhënave të sondazhit që e ka publikuar të premten gazeta online Reporteri.net, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë forca e parë politike në Kosovë. Madje, partia e kryeministrit Albin Kurti në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë në përqindje duke shkuar në 49.5%.

    PDK-ja vazhdon të pozicionohet e dyta në renditje, sipas UBO Consalting, duke rënë pak, me 17.1 për qind.

    Ndërsa LDK-ja, sipas sondazhit, në tre muajt e fundit ka rënien pak më të madhe dhe duke rezultuar në 16 për qind, duke u renditur kështu si forca e tretë politike në Kosovë, me trendin më të madh të rënies në muajt e fundit, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Sipas këtij sondazhi, AAK-së s’po i kryen punë as koalicioni me NISMA-n sepse vazhdojnë të jenë në rrezik të pragut, duke llogaritur margjinën e gabimit të Omnibusit të fundit të kryer gjatë muajit mars të këtij viti. Koalicioni i këtyre partive ka 6.9 për qind, sipas këtij sondazhi, derisa margjina e gabimit llogaritet plus-minus 3%.

    Partia me dy kryetarë, Lista “Guxo” vazhdon të jetë e pavërejtshme edhe në këtë sondazh, me 0.6 për qind. Lista Serbe, sipas këtij sondazhi, del të ketë 5.6 për qind.

    4.3 për qind e të anketuarve në këtë sondazh, kanë zgjedhur tjetër opsion kur janë pyetur për partinë politike për të cilën do të votonin.

    Sondazhi i kryer në kuadër të omnibusit të rregullt, është realizuar para urdhrit të Qeverisë për tokat e manastirit të Deçanit dhe para se PDK-ja ta shpallte Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.

    Ndërkaq, në sondazhin e UBO Consulting në kuadër të omnibusit të rregullt tre mujor që e kishte realizuar në muajin dhjetor të vitit të kaluar, VV-ja kishte dalë me 48.5 për qind, që i bie se është rritur për 1 për qind në tre muaj.

    Edhe tre vite pas, partia e Kryeministrit Albin Kurti, sipas matjeve të opinionit, vazhdon të sillet rreth 50 përqindëshit, rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend.

    Nga ana tjetër, në muajin e fundit të 2023-ës në omnibusin e UBO Consulting, PDK-në deklaronin se do ta votonin 18.2%, që në raport me sondazhin e fundit të muajit mars 2024 i bie të ketë rënë për 1.1%.

    Derisa prej muajit dhjetor deri në muajin mars, përkrahja për LDK-në ka rënë për afro dy për qind. Në dhjetor partia e cila po atë muaj i rikonfirmoi mandatin e drejtuesit të saj Lumir Abdixhikut, i kishte 17.9 për qind, derisa tash në mars figuron në 16%.

    Të dhënat e këtij sondazhi, një deputete e LDK’së, të shtunën i ka konsideruar “realitet fiktiv” e “propagandë”.

    AAK-ja e Ramush Haradinajt, para se të bënte koalicion me Nismën e Fatmir Limajt, në dhjetor të 2023 do të votohej 6.8% ndërkohë koalicioni me Limajn bazuar në matjet e marsit 2024 e ka rritur vetëm për 0.1%.

    Në zgjedhjet e fundit nacionale më 14. Shkurt 2021, LVV-ja e kishte marrë 50.28%. Në këto zgjedhje, PDK-ja doli e dyta me 17 për qind. LDK-ja që atëherë udhëhiqej nga Isa Mustafa mori 12.7 për qind të votave. Ndërkaq, AAK-ja kishte marrë 7.1 për qind të votave. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!