Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë, të cilët i akuzon për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë sulmit të 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në lagjen Jasharaj të Prekazit të Poshtëm.
Sipas aktakuzës, operacioni ishte planifikuar dhe organizuar për muaj me radhë nga struktura të ndryshme të forcave serbe dhe u realizua me pjesëmarrjen e njësive speciale të armatosura rëndë. Prokuroria pretendon se gjatë sulmit u vranë civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, ndërsa të tjerë u morën peng dhe u keqtrajtuan.
Aktakuza, e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, përshkruan në detaje përgatitjet për operacionin, pozicionimin e njësive serbe dhe mënyrën e zhvillimit të sulmit.
Sipas Prokurorisë, që nga fillimi i janarit 1998, lagjja Jasharaj dhe Prekazi i Poshtëm ishin vënë nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Në rezervuarin e ujit të Fabrikës së Municionit në Skenderaj, sipas aktakuzës, ishin vendosur kamera nga ku monitorohej lëvizja e banorëve. Operacioni i vëzhgimit, sipas dokumentit, drejtohej nga Njësia për Operacione Speciale, e komanduar nga Milorad Ulemek, i njohur si “Legia”.
Më 3 mars nisën përforcimet. Në zonë u dislokuan pjesëtarë të njësive speciale, ndërsa u vendos edhe armatim i rëndë, përfshirë autoblinda, tanke, minahedhës dhe armë kundërajrore.
Më 4 mars, në objektin “Villa” të kompleksit të Fabrikës së Municionit u formua Shtabi Operativ për realizimin e sulmit. Sipas aktakuzës, ai drejtohej nga Goran Radosavljević, i njohur me nofkën “Guri”.
Në shtab, sipas Prokurorisë, ishin edhe komandantë të njësive speciale nga Beogradi, Novi Sadi dhe Prishtina. Detyrat për secilën njësi ishin përcaktuar paraprakisht.
Njësisë për Operacione Speciale iu caktua sulmi ndaj shtëpive të familjes së Shaban Jasharit, ndërsa njësive të tjera iu caktuan pozicione të ndryshme rreth lagjes. Njësia e Posaçme e Policisë, sipas aktakuzës, kishte krijuar “rrethimin e hekurt”, me qëllim që të pamundësohej hyrja dhe dalja nga zona.
Sulmi nisi në orën 06:00
Më 5 mars 1998, rreth orës 06:00, forcat speciale policore serbe nisën sulmin e armatosur ndaj lagjes Jasharaj.
Sipas aktakuzës, në operacion u përdorën tanke, mjete të blinduara, armë kundërajrore dhe armatim tjetër i rëndë. Në mbrojtje të lagjes, sipas Prokurorisë, kishte një numër të kufizuar pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të armatosur me armë të lehta.
Në ditën e parë të sulmit, sipas aktakuzës, granatimet u intensifikuan ndaj shtëpisë së Halit Jasharit.
Prokuroria e cilëson atë si objekt civil dhe thotë se në kuzhinën e shtëpisë u vranë Blerim Jashari, 5 vjeç, Bujar Jashari, 10 vjeç, Avdullah Jashari, 15 vjeç, Hanife Jashari, 17 vjeçe, si dhe Bahtije, Sabrije, Elheme dhe Mihrije Jashari.
Po atë ditë, sipas aktakuzës, u godit edhe shtëpia e Hamit Jasharit, ku u vranë Smajl dhe Fatime Bazaj, të cilët ndodheshin aty si mysafirë.
Sulmi vazhdoi më 6 mars
Më 6 mars, forcat serbe vazhduan granatimin e shtëpive të Sadik dhe Qerim Jasharit.
Sipas aktakuzës, shtëpitë fillimisht u përfshinë nga flakët dhe më pas u rrënuan. Në shtëpinë e Sadik Jasharit u vranë Afie, Elfie dhe Fatime Jashari, trupat e të cilave, sipas dokumentit, vazhdojnë të jenë të zhdukura.
7 marsi – sulmi me tanke ndaj familjes Jashari
Më 7 mars, sipas aktakuzës, sulmi ndaj shtëpive të Shaban Jasharit u intensifikua me përdorimin e tankeve.
Një predhë tanku depërtoi në murin e dhomës ku ishin strehuar familjarët dhe, sipas Prokurorisë, vrau Igballe Jashari, 12 vjeçe, Valdete Jashari, 14 vjeçe, Igball Jashari, 14 vjeç, Lirije Jashari, 14 vjeçe, Afete Jashari, 17 vjeçe dhe Selvete Jashari.
Pas goditjes së parë u plagosën rëndë disa persona. Më pas, sipas aktakuzës, një predhë e dytë e tankut shkaktoi vdekjen e Fatime Jasharit, 8 vjeçe, dhe Blerim Jasharit, 12 vjeç.
Sipas dokumentit, dy pjesëtarë të forcave speciale më pas iu afruan dhomës, hodhën granata dore dhe hapën zjarr me armë automatike. Në këtë rast, sipas Prokurorisë, u vranë Blerina Jashari, 7 vjeçe, Kushtrim Jashari, 13 vjeç dhe Hidajete Jashari.
Besarta Jashari ishte e vetmja e mbijetuar në atë pjesë të shtëpisë, sipas aktakuzës. Ajo, sipas Prokurorisë, u kap nga forcat serbe dhe u dërgua në kompleksin e Fabrikës së Municionit, ku iu nënshtrua keqtrajtimit psikologjik deri në mbrëmje.
Civilët u morën peng dhe u keqtrajtuan
Aktakuza përshkruan edhe raste të marrjes peng të civilëve.
Më 5 mars, sipas dokumentit, Milazim dhe Muhamet Jashari u kapën dhe u dërguan në stacionin policor në Skenderaj, ku, sipas Prokurorisë, u mbajtën për tri ditë dhe iu nënshtruan torturës fizike e psikologjike.
Ndërsa më 7 mars, nga shtëpia e Sefer Jasharit u kapën 16 civilë, mes tyre edhe një foshnjë dy-muajshe. Ata u dërguan në oborrin e Fabrikës së Municionit, ku, sipas aktakuzës, u privuan nga ushqimi dhe uji, u ekspozuan ndaj temperaturave të ulëta dhe u kërcënuan me vrasje.
Prokuroria Speciale ka ndarë 35 të pandehurit në dy grupe.
29 persona akuzohen se në bashkëkryerje kanë planifikuar, organizuar, urdhëruar dhe drejtuar sulmin, i cili, sipas Prokurorisë, rezultoi me vrasje, tortura, marrje peng dhe shkatërrim të objekteve civile.
Gjashtë të tjerë – Dragan Živanović, Obrad Stevanović, Ljubinko Cvetić, Branko Đurić, Ilija Trajković dhe Milenko Božović – akuzohen se kishin autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat dhe, megjithëse kishin dijeni ose arsye të mjaftueshme për të ditur për krimet, nuk ndërmorën masa për t’i parandaluar apo ndëshkuar ato.
Të gjithë të pandehurit ndodhen jashtë juridiksionit të Kosovës dhe procedura ndaj tyre do të zhvillohet në mungesë. Prokuroria ka propozuar dëgjimin e dhjetëra dëshmitarëve dhe administrimin e një numri të madh provash, përfshirë raporte autopsie, fotografi, materiale nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe prova të mbledhura në vendngjarje.
Në përfundim, Prokuroria e cilëson sulmin si një operacion të planifikuar dhe të organizuar, të motivuar nga urrejtja etnike dhe me qëllim terrorizimin e popullsisë civile dhe spastrimin e zonës.
Hetimet për rastin kanë zgjatur për vite, ndërsa në qershor të këtij viti Prokuroria Speciale kishte njoftuar se rasti po trajtohej me prioritet dhe se aktakuza ishte drejt finalizimit.