Në vendin ku tri vjet më parë ra në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, sot është vendosur gurthemeli i përmendores kushtuar heroit të Policisë së Kosovës.
Ceremonia është mbajtur në Banjskë, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit të rënies së Bunjakut, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit të armatosur nga një grup serbësh.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe drejtues të Policisë së Kosovës.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se monumenti do të shërbejë si kujtesë për ngjarjet e 24 shtatorit dhe sakrificën e policëve të Kosovës.
“Obelisku që do të vendoset këtu është shenjë e respektit institucional për veprën e Heroit Afrim Bunjaku dhe kushdo që do të kalojë në këtë pjesë, ku ai ra, do të dijë më shumë se çka ndodhi atë ditë, cili ishte plani i Serbisë dhe cila ka qenë sakrifica e policëve të Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se institucionet e Kosovës kanë kërkuar vazhdimisht nga Serbia dorëzimin e personave përgjegjës për sulmin, përfshirë Milan Radoiçiqin.
“Edhe sot bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë, sepse nuk mund të vazhdohet tutje pa dorëzuar terroristët dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq, dhe terroristët e tjerë”, tha Haxhiu.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se përmendorja është rezultat i sakrificës së Afrim Bunjakut dhe angazhimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës gjatë përballjes me grupin e armatosur.
Sipas tij, pas përfundimit të sulmit, institucionet e Kosovës kanë vazhduar punën në veri, përfshirë identifikimin e personave të zhdukur dhe zbulimin e varrezave masive.
“Kjo fitore solli liri për këtë pjesë. Veriu i Kosovës tash frymon lirshëm”, tha Sveçla.
Ai shtoi se, falë sakrificës së Bunjakut dhe angazhimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, tash po vendoset obelisku në vendin ku ndodhi përballja.
Në ceremoni ka folur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, i cili e cilësoi rënien e Bunjakut si një nga momentet më të rënda për Policinë dhe shtetin e Kosovës.
“Kjo është dëshmi që Policia e Kosovës ka një guxim të jashtëzakonshëm. Ka djem dhe vasha që janë të gatshëm me e sakrifiku jetën e tyre për t’i dalë ballë atdheut tonë dhe detyrave që na presin”, tha Hoxha.
Ai theksoi se Policia e Kosovës sot ka kapacitete më të mëdha se në kohën e sulmit në Banjskë, duke shtuar se pjesëtarët e saj kanë përgatitje, motivim dhe moral të lartë.
Hoxha tha gjithashtu se kujtimi për heronjtë duhet t’u përcillet brezave të ardhshëm.
“Çdo popull i cili e harron historinë e vet dhe heronjtë e vet, është i destinuar për të dështuar. Kosova, Policia e Kosovës, institucionet e saj nuk i harrojnë. Andaj sot ne edhe po e vendosim obeliskun për heroin tonë Afrim Bunjaku, në mënyrë që t’ua kujtojmë brezave të ardhshëm”, deklaroi ai.
Në fund, Hoxha tha se Policia e Kosovës nuk është kundër asnjë grupi etnik dhe se misioni i saj është të garantojë rend dhe siguri për të gjithë qytetarët.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e trevjetorit të rënies së Afrim Bunjakut, institucionet paraprakisht kanë vizituar familjen e tij dhe kanë bërë homazhe te varri i tij në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë.
Aktivitetet përkujtimore do të përmbyllen sonte me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.