×
  • Lajme
  • Lajme / Shkeljet në fushatë

    Tubimi në Skenderaj, posterë në hapësira publike e gjuhë e urrejtjes – PZAP edhe mbi 75 mijë euro gjoba për partitë politike

    Reporteri
    31 Janar 2025 | 14:41

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në vendimet e 30 janarit ka dënuar me një shumë totale prej 75 mijë e 500 euro partitë politike për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Dënimin më të rëndë e ka marrë Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate, Konservatorët, Intelektualët, të cilët janë dënuar me 20 mijë euro për shkak se sipas ankesës, kandidatë dhe simpatizantë të AAK-së kanë shpërndarë në rrjete sociale fotografi të Ministres, Donika Gërvalla, përmes së cilave shpërfaqet gjuhë denigruese dhe gjuhë e urrejtjes.

    Partia Demokratike e Kosovës është dënuar po ashtu me 20 mijë euro në dy raste të ndara. Në rastin e parë PDK është dënuar me 10 mijë euro për shkak se dy simpatizantë të kësaj partie në rrjete sociale kanë shpërndarë fotografi, ku shpërfaqet gjuhë e urrejtjes kundrejt partive kundërshtare, në këtë rast VV-së.

    Ndërkaq, në rastin e dytë, PDK-ja është dënua po ashtu me 10 mijë euro për tubimin në Skenderaj, ngase sipas ankesës së VV-së në tubimin e kësaj partie në Skenderaj, aktivistë dhe simpatizantë të PDK-së brohoritën, fishkëllyen dhe hodhën fishekzjarre në drejtim në qytetarëve dhe kandidatëve për deputetë nga LVV dhe më pas hodhën edhe mjete piroteknike në drejtim të qytetarëve pjesëmarrës në tubimin në shtëpinë e kulturës. Ankesa tutje pretendon se pati edhe brohoritje “Poshtë UDBASH-at” dhe “Zdravo”.

    Koalicioni për familje është dënuar me 7 mijë e 500 euro, për gjuhën e përdorur ndaj komunitetit LGBTQ+, që sipas PZAP-së është urrejtëse ndaj një komuniteti të caktuar dhe ka për qëllim ofendimin, denigrimin dhe përçmimin e këtij komuniteti.

    Lëvizja Vetëvendosje është dënuar me pesë mijë euro për tubimin në Skenderaj, ku sipas ankesës së PDK-së është përdorur gjuhë urrejtëse dhe fyese kundrejt kësaj partie.  Ankesa është cilësuar si e bazuara nga ana e PZAP-së.

    Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar me katër mijë euro për vendosjen e posterëve në hapësira publike në Banjë të Istogut.

    LDK është dënuar edhe me pesë mijë euro të tjera për vendosje të posterëve në hapësira publike në Pejë.

    Për vendosje të posterëve në hapësira publike, LDK është dënuar me katër mijë euro të tjera, kjo për një rast në Prishtinë. Kjo parti tutje është gjobitur edhe me 4 mijë euro të tjera për shkak të vendosjes së banerëve të një kandidateje nga kjo parti në hapësira publike në Gjilan.

    Me 5 mijë euro është dënuar Lista Serbe për vendosje të posterëve në hapësira publike.

    Ndërkaq, Partia Demokratike e Ashkalinjëve është dënuar me 1 mijë euro. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!