×
  • Lajme
  • Lajme / Foto

    U arrestua për fajde në Gjilan, del fotoja e Albert Malishevës i shoqëruar me policë me grada

    Reporteri
    02 Korrik 2024 | 16:25

    Më 21 qershor të muajit të kaluar, Policia e Kosovës kishte arrestuar fillimisht dy persona për fajde në komunën e Gjilanit, babë e bir, Mefail dhe Edonis Shkodra për të arrestuar pas tre ditësh edhe personin e tretë, Albert Malisheva. Të tre personat dyshohen për veprën penale të “Fajdës dhe Detyrimit”.

    Ky i fundit, Albert Rexhepi apo i njohur si Albert Malisheva, e i cili në një periudhë kohe kishte qenë mbështetës i Lutfi Hazirit në Gjilan në zgjedhjet e vitit 2021, del të ketë shoqëri edhe me zyrtarë policorë.

    Në një fotografi të publikuar nga Insajderi, Albert Malisheva shihet i shoqëruar me tre policë me grada, Metush Arifin, zyrtar policor i njësisë së reagimit të shpejtë, Bekim Sabedini, rreshter regjional, dhe Qemajl Veleknica, njësiti i mbrojtjes së afërt.

    Fotografi e mëhershme e Albert Malishevës ku shihet i shoqëruar me policë me grada

    Mediumi raporton se ka kontaktuar me Policinë e Kosovës, për të marrë një koment se cila është lidhja e Malishevës me tre zyrtarët e lartëpërmendur dhe a do të ndërmerret ndonjë veprim ndaj tyre, por që sipas mediumit Policia nuk i janë përgjigjur pyetjeve të tyre, vetëm kanë përsëritur konfirmimin për arrestimin e Malishevës.

    Në operacionin e Policisë së Kosovës të zhvilluar në muajin qershor, ishin sekuestruar prova të ndryshme materiale.

    “Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”, kishte njoftuar Policia e Kosovës.

    Policia kishte raportuar se të dyshuarit në vazhdimësi kishin ushtruar presion dhe kërcënime ndaj një viktime me qëllim të marrjes se interesit nga veprimtaria e fajdesë duke e detyruar të njëjtën të veprojë në dëm të pasurisë se tij dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme të dyshuarit i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600 mijë euro, duke e detyruar viktimën që ta mbyllë dhe ta shes kompaninë e tij.

    /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!