Në qershor, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan, hapi konkurs për punë si zyrtar në bibliotekë.
E në këtë konkurs, aplikoi edhe vetë Ushtruesja e detyrës së Drejtoreshës, Shpresa Hajdari, pozitë të cilën pas procedurave të rekrutimit, e fitoi.
Lidhur me këtë vendim, ka pasur ankesa nga ana e kandidatëve të tjerë, raporton KTV.
Liridonë Mehmeti thotë se kandidimi i drejtoreshës është pikërisht arsyeja pse ajo nuk u pranua në pozitën e zyrtares për bibliotekë, edhe pse i plotësonte të gjitha kriteret.
Më 19 korrik, Kuvendi Komunal në Gjilan doli me një vendim, ku ushtruesen e detyrës së Drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport e shpalli fituese.
Sipas këtij vendimi, Shpresa Hajdari, me 81 pikë, fiton vendin e punës.
Mirëpo, Luan Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje, këtë e sheh të papranueshme. Ai thotë se Hajdari këtë pozitë ia dha vetes.
Lidhur me konkursin, Kohavisioni ka kontaktuar edhe ish-ushtruesen e detyrës së drejtoreshës, tash zyrtare e bibliotekës, Shpresa Hajdarin.
Ajo ka mohuar se ka qenë në postin e u.d. të drejtoreshës gjatë kohës sa ka ndjekur procedurat e aplikimit.
Mirëpo, konkursi që është i publikuar në ueb-faqen e Komunës, si datë të shpalljes, e ka 3 qershorin.
Hajdari më tutje, ka mohuar edhe akuzat se vendin e punës e ka fituar për shkak të lidhjes politike, duke thënë se ka përvojë pune.