“U plagosa me pesë plumba” – I mbijetuari i masakrës së Shtuticës rrëfen tmerrin që ka përjetuar

“Ne ishim 27 vetë dhe u ngritëm vetëm gjashtë prej nesh. Do të thotë 21 janë vrarë në atë vend. Unë aty edhe jam plagosur. Në atë moment trupi i nxehtë fort s’kam ndjerë dhimbje”.


I mbijetuari i masakrës në fshatin Shtuticë, Rifat Bilalli, ka rrëfyer për tmerrin që e ka përjetuar 22 vjet më parë.

Për Klan Kosova, ai ka treguar se është plagosur me pesë plumba nga forcat serbe dhe tre prej tyre ende i mban si kujtim.

“Më 30 prill në orët e hershme posa u zgjuam, nga të gjitha anët ishim të rrethuar. Në këto dy fshatra kishte kohë që ishin grumbulluar një numër i madh i familjarëve të fshatrave tjera. Ne morëm vendim që gratë, fëmijët dhe pleqtë të vijnë në këtë shkollë, kurse meshkujt të strehohen nëpër pyll”, tregoi ai.

“Banorët ishin në panik, kështu që janë vendosur dhe strehuar aty ku ua ka marrë vet mendja atyre se janë më të sigurt. Isha i plagosur me pesë plumba – prej të cilëve tre i nxjerra pasi u lirova. U plaguam në anën e Izbegut tek Gurët e Bardhë. Ne vetëm u strehuam atje pasi menduam që ishim më të sigurt”, tregoi ai.

“Një komandat i tyre, thotë shikoni një lug aty është një gropë mos ka diçka. Pa i përfunduar fjalët, atë veç ishin afruar duke bërtitur [Evo teroristi] dhe kanë filluar të gjuajnë breshëri plumbash mbi ne”, tha Bilalli.

Bilalli ka treguar se një mësues i gjuhës shqipe në atë moment ka bërtitur “ne nuk jemi terroristë, por jemi civilë”.

“Ne ishim 27 vetë dhe u ngritëm vetën 6 vetë. Do të thotë 21 janë vrarë në atë vend. Unë aty edhe jam plagosur. Në atë moment trupi i nxehtë fort s’kam ndjerë dhimbje. Kur jemi ngritur në këmbë, djali i vëllait veç kishte vdekur. Pastaj ia kanë dhënë edhe nga një breshëri plumbash.Na dërgojnë më lartë dhe atje na i marrin të gjitha gjësendet dhe ashtu na nisin pyllit përpjetë. Kur shkuam në një vend 40 metra përmbi aty u takuam me një ushtarak serb, ai veç sa i kish pas vrarë një plak, ata i ofendonin udhëheqësit tanë Rugovën dhe Thaçin”, shpjegoi Bilalli.

“Pas 47 ditësh që u liruam si rob lufte, pas tre ditësh kam shkuar në spital dhe dy plumba i kam nxjerrë afër boshtit të kurrizit dhe në kraharorë dhe një tjetër e kam nxjerrë pas një jave. Unë i ruaj plumbat këtu”, tha ai.