Rasti i raportuar si rrëmbim i një vajze të mitur në Fushë Kosovë, i denoncuar më 21 maj rreth orës 00:45 në rrugën “Pajazit Islami”, ka rezultuar të jetë një kallëzim i rremë, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas raportimit fillestar, dyshohej se një vajzë e mitur ishte futur me forcë në një veturë nga persona të panjohur dhe ishte liruar pas rreth një ore. Në tentativë për ta parandaluar rastin, ishte raportuar se ishte lënduar lehtë edhe nëna e saj.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, tha për gazetën online Reporteri.net se pas një sërë veprimesh intensive hetimore dhe analizash të detajuara, është konfirmuar se nuk ka ndodhur rrëmbim.
“Hetimet kanë treguar se bëhet fjalë për një kallëzim të rremë. Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojë të ndërmarrë veprime për zbardhjen e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore,” deklaroi Borovci.
Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të shmangin veprimet dhe deklarimet mashtruese, duke i inkurajuar ata të raportojnë me përgjegjësi çdo rast të dyshuar, me garancinë se të gjitha informacionet trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm.