Gjatë ditës së sotme, u raportua se Dogana e Kosovës ka anuluar tenderin për furnizim me skanerë të mallrave në pikat kufitare, pasi të njëjtit u tha se do të sillen si “dhuratë” nga shtetet partnere.
Nga Dogana e Kosovës në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net kanë thënë se tenderi për furnizimin me skaner mobil X-ray është i hapur. Në përgjigjen e Doganës bëhet e ditur se nga e mërkura, më 26 tetor, ky proces ka kaluar në fazën e vlerësimit, ku të gjitha ofertat e pranuara do të shqyrtohen në mënyrë të detajuar.
Ndërsa sa i përket skanerëve nga vendet partnere të Republikës se Kosovës dhe BE-së, Dogana thotë se nuk mund të përcaktojnë dinamikën pasi qe ky proces varet nga burokracitë dhe procedurat ligjore të vendeve që ndjekin proceset e blerjes dhe furnizimit.
“Ju njoftojmë se tenderi për furnizimin me skaner mobil X-ray është i hapur. Zyrtarisht më datën 16.10.2024 ka kaluar në fazën e vlerësimit, ku të gjitha ofertat e pranuara do të shqyrtohen në mënyrë të kujdesshme dhe të detajuar, duke respektuar të gjitha kërkesat dhe specifikimet teknike të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit.
Procesi i vlerësimit do të zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e prokurimit publik, duke siguruar transparencë dhe objektivitet në përzgjedhjen e ofertës më të përshtatshme që përmbush kërkesat tona. Pas përfundimit të vlerësimit, do të publikohet rezultati dhe do të njoftohen të gjitha palët e interesuara.
Derisa sa I përket skanerëve nga vendet partnere te Republikës se Kosovës si dhe BE ne nuk mund të përcaktojmë dinamiken pasi që ky proces ka varësi mbi burokracitë dhe procedurat ligjore të vendeve që ndjekin proceset e blerjes dhe furnizimit”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës për Reporteri.net.
Në fillim të muajit Qeveria e Kosovës hoqi masën e ndalimit të importeve për mallrat nga Serbia në një pikë kufitare me Serbinë, në atë të Merdares, që cilësohet pika kryesore kufitare Kosovë-Serbi.
Kryeministri i Kosovës paralajmëroi instalimin e pajisjeve të skanimit.
Kurti dhe zyrtarë tjerë të Kosovës kanë thënë se Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja i kanë premtuar ndihmë Kosovës për sigurimin e skanerëve.
Heqja e kësaj mase ia mundësoi Kosovës pjesëmarrjen e në Procesin e Berlinit që ishte edhe kërkesë e qeverisë gjermane, e cila disa herë e paralajmëroi Kosovën për mundësinë e lënies jashtë nga procesi i Berlinit, nëse Kosova vazhdonte masën e sigurisë për mallrat serbe./Reporteri.net/