×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet e rastit

    U raportua se një person u rrëmbye në Prishtinë, policia e zbulon se ishte inskenim për të përfituar para nga familja

    Reporteri
    04 Maj 2025 | 16:32

    Të shtunën mbrëma u raportua se një person u rrëmbye nga persona të panjohur në Prishtinë. Por, Policia e Kosovës ka zbuluar se e gjitha ishte një inskenim për të përfituar apra nga familja, shkruan Reporteri.net.

    Policia thotë se personi që ka inskenuar rastin është shoqëruar për intervistim në stacionin policor dhe pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se nuk ka të bëjë me veprën penale të rrëmbimit.

    Njoftimi i plotë  i Policisë:

    Të dielën familjarët kanë denoncuar në polici se, që nga data 30.04.2025, familjari është rrëmbyer nga persona të panjohur dhe nga ajo kohë nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të.

    Sipas denoncimit, rrëmbyesit e pretenduar, përmes mesazheve të dërguara kanë kërkuar një shumë të caktuar të parave, në këmbim të mirëqenies së viktimës.

    Menjëherë pas denoncimit, specialist nga njësia e hetimeve të përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të ngjarjes.

    Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të koordinuara policore, rreth orës 13:00, është arritur të lokalizohet vendndodhja e viktimës së pretendua, mashkull, rreth 45 vjeç, i cili është gjetur i vetëm në një veturë në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë.

    I njëjti është shoqëruar për intervistim në stacionin policor dhe pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se nuk kemi të bëjmë me veprën penale të rrëmbimit.

    Në fakt, personi në fjalë vetë kishte dërguar mesazhet kërcënuese drejt familjes me qëllim të sigurimit të një shume të caktuar parash për përfitime personale.

    Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, është duke vazhduar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndjekjen ligjore të personit në fjalë, për veprimet mashtruese dhe për shqetësimin e shkaktuar familjes dhe institucioneve ligjzbatuese.

    Policia e Kosovës apelon tek qytetarët që të shmangin deklarimet dhe veprimet mashtruese të cilat jo vetëm që keqpërdorin burimet institucionale, por edhe shkaktojnë panik të panevojshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!