Autor: Egzona Krasniqi
Një rrahje e mundshme në zyrat e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, u përfol në media të ketë ndodhur para disa ditësh në mes Ministrit Liburn Aliu dhe zëvendësit të tij, Hysen Durmishi.
Por krejt këtë ngjarje po e quan spekulim të mediave me agjendë, Hysen Durmishi.
Ai ka folur të mërkurën shkurt për Gazetën Online Reporteri.net në lidhje me këtë raportim.
“Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë”, tha Durmishi, duke mohuar kategorikisht një përleshje të mundshme fizike me bashkëpartiakun e tij të moçëm, Liburn Aliun.
“Janë spekulime të mediave të disa portaleve të mediave të caktuara, me agjenda të caktuara”, shtoi zëvendësministri i Infrastrukturës, në bisedën e tij me Gazetën Online Reporteri.net.
Për marrëdhënien me Hysen Durmishin ka folur të premten e shkuar edhe Ministri Aliu.
“Ka qenë në zyrën time, jemi takuar sot”, pohoi Aliu në T7, ku ishte dalja e parë e tij publike për të folur rreth audio-incizimit të publikuar nga Gazeta Nacionale në të cilat u përfshi edhe emri i tij dhe i këshilltarit të tij Florent Ramqaj.
“Unë kam qenë në burg me Hysen Durmishin. Sot i kemi raportet shumë të mira. Sot jemi taku, kemi pi kafe bashkë”, kishte dekluar Aliu në këtë intervistë.
Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi janë dy nga figurat më të vjetra në Lëvizjen Vetëvendosje. Përveç aktivizmit të përbashkët politik në partinë e Kryeministrit Kurti, ata, deri në javët e fundit, janë njohur edhe për miqësinë e ngushtë me njëri-tjetrin.
Për një rrahje me grushte mes Aliut e Durmishit, në Facebook së fundi ka ngritur dyshime edhe gazetari dhe analisti Ilir Mirena.
“N’i sheher eshte kah flet qysh Hyseni e Liburni jane rreh grushta me njani tjetrin… Une s’po besoje…”, ka shkruar mbrëmë Mirena.
“Dikush u deshte me thane. U zisha ner veti”, i ka komentuar tutje Berat Buzhala, gazetari i cili e publikoi javën e shkuar audio-incizimin që shpërfaqi një aferë të dyshimtë ryshfeti në Ministrinë që e drejtojnë Aliu e Durmishi. /Reporteri.net/.