×
  • Lajme
  • Lajme / Çështja e gjuhës shqipe

    “U rreshtua në anën e VMRO-së, jo shqiptarëve”, në Maqedoni të Veriut vazhdojnë reagimet për deklaratën e Kurtit

    Reporteri
    20 Nëntor 2024 | 14:20

    BDI  e ka vlerësuar si skandaloze deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ditë më parë tha se në Maqedoninë e Veriut, nuk ka ligj për gjuhën shqipe.

    Ardita Dani nga BDI-ja, tha se me këtë deklaratë, Kurti u rreshtua në anën e VMRO-së dhe jo në anën e shqiptarëve të RMV-së.

    “Deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte deklaratë skandaloze, e papranueshme dhe e dëmshme për ne si shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri i Kosovës, në vend që të dalë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe të avancimit të tyre, ai doli në anën e atyre që janë kundër të drejtave të shqiptarëve. Për fat të keq, u vë në një vijë me partinë VMRO-DPMNE”, tha  Dani gjatë ditës së sotme.

    Një reagim ndryshe sot kishte nga zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.

    “Kryeministri Kurti e tha të vërtetën”. Kështu është shprehur zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, duke komentuar reagimet e shumta të opozitës shqiptare në RMV, pas deklaratës së kryeministrit kosovar, Albin Kurti, se në Maqedoni nuk ka ligj për gjuhën shqipe.

    Mexhiti ka thënë se në Maqedoni nuk ka ligj të veçantë për gjuhën shqipe, por ekziston ligji për gjuhët, dhe brenda parashikohet kuota 20%

    “Kryeministri Kurti e ka thënë të vërtetën. Në Maqedoni s’ka ligj për gjuhën shqipe, por ligji i gjuhëve dhe brenda parashikohet kuota 20%. Ajo bashkësi etnike që është mbi 20%, në këtë rast shqiptarët, kanë të drejtë ta përdorin gjuhën shqipe, por titulli i Ligji nuk është për gjuhën shqipe, por është Ligji për gjuhët”, u shpreh Mexhiti për mediat e Maqedonisë.

    Mexhiti: Kurti e tha të vërtetën, në Maqedoni të Veriut s’ka ligj të veçantë për gjuhën shqipe

    Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Zijadin Sela, gjatë ditës së djeshme e ka quajtur “skandaloze” deklaratën për gjuhët të kryeministrit Albin Kurti, pas mbledhjes së përbashkët Kosovë-Maqedoni e Veriut.

    “Është shqetësuese e skandaloze, deklarata e zotit Kurti, për shkak se këtu brenda jemi mësuar që të dëgjojmë faktorin politik shqiptar, duke relativizuar të keqen dhe gjëmën që po u bëhet shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por realisht për mua s’ka qenë aspak e pritshme se si pjesë e korit kakofonik relativizues do të bëhet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”, tha Sela.

    Për këtë temë gjatë ditës së djeshme reagoi edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ai tha se kjo është temë artificiale dhe siguroi se gjuha shqipe nuk po rrezikohet.

    “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk është kundër. Kjo është një temë artificiale. Është një temë që po mundohen ta imponojnë”. Kështu deklaroi duke folur për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe për ligjin për gjuhët. Ai theksoi se gjuha shqipe nuk po rrezikohet në këtë shtet.

    “Më besoni, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim, askush nuk është kundër gjuhës shqipe, përkundrazi ja unë jam kryetar i Qeverisë, askush nuk është kundër, as në Maqedoni, kjo është një temë artificiale. Kjo nuk është temë e cila dikujt i pengon ose nuk I pengon, kjo është një temë që po mundohen ta imponojnë po këto hije nga e kaluara se nuk kanë temë tjetër, më besoni”, deklaroi Mickoski në RTK.

    Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

    Për deklaratën e Kurtit reagime të shumta pati edhe në Kosovë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!