Më 23 maj 2019, pacientit S.N. nga Peja, iu vendos një stentë në zemër nga mjekët e Spitalit Amerikan, përkundër se kishte pësuar infarkt në tru, si pasojë e bllokimit të arterieve të qafës (karotideve).
Sipas familjarëve, pas ndërhyrjes, gjendja shëndetësore e babait të tyre vetëm sa u përkeqësua, ndërsa për pasojë operacioni për hapjen e arterieve të qafës nuk u krye fare në Spitalin Amerikan, pasi pacienti pësoi sulmin tjetër në tru sapo doli nga ky institucion, me insistimin e mjekëve.
Gazeta Sinjali, dje solli rrëfimin në kronologji të ngjarjes nga familjarët, ndërsa sot përmes dokumenteve e audioincizimeve ndriçon bisedat dhe vendimet e mjekëve që shpërfaqin, mashtrimin papërgjegjësinë dhe trajtimin e pandërgjegjshëm mjekësor që çoi buzë vdekjes pacientin nga Peja.
NË DOKUMENTET E LËSHUARA NGA SPITALI, MUNGON RAPORTI MJEKËSOR I KARDIOLOGUT
Familja Nimani, sot e asaj dite, nuk e ka të qartë pse është bërë ndërhyrja në zemër dhe jo në zhbllokimin e arterieve të qafës dhe kush e mori një vendim të tillë.
Në dokumentet, që u janë dorëzuar familjarëve me rastin e lirimit të pacientit, janë raportet e veçanta mjekësore të specialistit të mjekësisë interne dhe endokrinologut, neurologut dhe mjekut kujdestar që e kishte pranuar pacientin në ditën e parë në Spitalin Amerikan. Por, ajo që bie në sy është se, në mesin e dokumentacionit, mungon vetëm raporti mjekësor i kardiologut, përkatësisht kardiologut invaziv që ka rekomanduar koronarografinë dhe që ka intervenuar për vendosjen e stentës në zemër.
Referuar dokumenteve zyrtare, emri i kardiologut mbetet enigmë edhe në raportin e përgjithshëm të epikrizës të nënshkruar nga mjeku përgjegjës i këtij rasti, neurologu, Blerim Myftiu.
“Para vendimit për endarterektopinë konsultohet kardiologu i cili sugjeron vlerësimin e arterieve koronare paraprakisht. Kështu që më 23.05.2019 realizohet koronarografia ku konstatohet stenoze 80 % në OM, 40-50% në LAD dhe nuk ka stenoze në stent në RCA. Realizohet intervenimi në OM, heparinizohet dhe pacienti del në gjendje të mirë nga salla operatore.”, thuhet në Raportin e Përgjithshëm të Epikrizës, të nënshkruar nga mjeku përgjegjës, neurologu, Blerim Myftiu.