Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka shpenzuar 324 mijë euro për blerjen e druve për ngrohje, duke tejkaluar kështu vlerën e parashikuar për këtë kontratë që ka qenë 288 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
Përmes këtij tenderi, ky universitet ka blerë dru bungu dhe dru ahu. Sipas dosjes së tenderit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në vlerën totale të kontratës përfshihen të gjitha taksat e aplikueshme në vend, si dhe transporti dhe palimi i drunjëve në deponitë e kaldave të universitetit.
Kontrata është dhënë më 19 mars, teksa nënshkrimi i saj është planifikuar të bëhet sot. Kohëzgjatja e saj është 36 muaj.
Me këtë kontratë është shpërblyer konsorciumi “Berveniku Corporation SH.P.K; N.P.T. Meti Comerc”.
Një tjetër konsorcium “N.T.SH NAZI TRAVEL; Feniks-a SH.P.K”, ka ofertuar fiks me çmimin e parashikuar në njoftimin për kontratë, mirëpo në dosje figuron se është eliminuar meqë nuk ka paraqitur sqarimet e kërkuara brenda afatit kohor.
“Bazuar në dokumentet tenderike, ju nuk keni paraqitur: 1. Qarkullimin financiar, 2.Referencat dhe 3. Librezat e pajisjeve. Edhe pse ne kemi kërkuar sqarime shtesë nga ana juaj, ju nuk i keni paraqitur sqarimet e kërkuara brenda afatit kohor. Lëshimet e cekura më lartë kanë bërë që ju të eliminoheni nga pjesëmarrja e mëtutjeshme e tenderit në fjalë”, thuhet në vendim./Reporteri.net
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.