Bujar Nishani u betua si president i Shqipërisë më 24 korrik 2012 në moshën 45 vjeçare. Ai mbante pozitën e Ministrit të Brendshëm kur e mori pozitën e shefit të shtetit shqiptar. Në Shqipërinë postkomuniste, Nishani ishte presidenti i pestë. Ai vdiq sot në moshën 55 vjeçare pas komplikimeve shëndetësore në një spital në Gjermani.
Bujar Nishani ka lindur në Durrës më 29 shtator 1966, kurse ka diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skenderbej” në Tiranë kurse studimet pasuniversitare në Shtetet e Bashkuara në Shkollën Postdiplomatike të Marinës për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”. Ai poashtu kishte diplomuar edhe në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 2004.
Bujar Nishani u bë pjesë e Partisë Demokratike të Shqipërisë në vitin 1991 dhe ka mbajtur disa pozita të larta shtetërore.
Nishani ka qenë deputet i Parlamentit e më pas ka ushtruar funksionin e ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm, pozitë të cilën e kishte mbajtur deri më 24 korrik 2012 kur edhe ishte zgjedhur President i Shqipërisë.
Nishani shërbeu si i pari i shtetit shqiptar nga 24 korriku 2012 deri më 24 korrik të vitit 2017.
Ai u zgjodh president i Shqipërisë me 73 votat e shumicës në Parlament.
Vizitën e parë jashtë shtetit si president Nishani e kishte realizuar në Kosovë. Ai ishte shpallur qytetar nderi i qytetit të Prizrenit dhe Drenasit.
Më poshtë mund të lexoni biografinë e ish presidentit Nishani, të publikuar në ueb faqen e Presidencës së Shqipërisë:
Bujar Nishani ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.
Ndërkaq, karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n. Nishani rikthehet në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.
Karriera politike e tij ka kaluar nëpër këto etapa: “Në vitin 1991 u anëtarësua në Partinë Demokratike, në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën, në vitin 2003 u zgjodh anëtar i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë nga lista e Partisë Demokratike, në vitin 2005 u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie”.
Në korrik të vitit 2005, i ndjeri ish-presidenti Nishani u zgjodh deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007 – shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm, nga shtatori 2009 – prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë, për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, detyrë të cilën e mbajti deri në qershor të vitit 2012, kohë në të cilën Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit.
Më 24 korrik 2012, Bujar Nishani ishte betuar në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës, për ta përfunduar mandatin e tij më 24 korrik të vitit 2017.
Ish-presidenti Nishani fliste rrjedhshëm gjuhën angleze.
Bujar Nishani ishte i martuar me Zonjën Odeta Nishani dhe kanë dy fëmijë, Ersi dhe Fiona Nishani.